Senatorët amerikanë përplasen për hetimet kundër presidentit Trump

  • 24 December 2019 - 11:23
Senatorët amerikanë përplasen për hetimet kundër presidentit Trump

Udhëheqësit e Partisë Republikane dhe Partisë Demokratike në Senat janë përplasur për rregullat e seancës së hetimeve kundër presidentit Donald Trump.

Anëtarët e Partisë Demokratike po kërkojnë garanci që në seancën e hetimeve të lejohet paraqitja e dëshmitarëve dhe dokumenteve në mënyrë që të ofrohet një gjykim dhe vlerësim i drejtë.

Udhëheqësi i demokratëve, Chuck Schumer, thotë se publikimi i fundit i një mesazhi elektronik sa i përket ndihmës për Ukrainën është dëshmi që tregon pse ky proces duhet të jetë i hapur dhe transparent. 

Në anën tjetër, republikani Mitch McConnell tha se nuk e ka përjashtuar mundësinë e dëgjimit të dëshmitarëve. Megjithatë, ai nuk tha se është arritur pajtim për kohën e paraqitjes së dëshmitarëve gjatë procesit të hetimeve.

Hetimet ndaj presidentit Trump u miratuan zyrtarisht me shumicë votash në Dhomën e Përfaqësuesve javën e kaluar. Ai akuzohet për keqpërdorim të pushtetit dhe pengimin e punës së Kongresit.

Procesi i hetimeve pritet të vazhdojë muajin e ardhshëm, pas përfundimit të pushimit zyrtar të institucioneve amerikane. Megjithatë, Partia Demokratike deri më tash nuk është pajtuar me rregullat e seancës që do të zhvillohet në Senat, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)