Aeroplani më i avancuar luftarak rus rrëzohet gjatë trajnimit

  • 24 December 2019 - 13:36
Aeroplani më i avancuar luftarak rus rrëzohet gjatë trajnimit

Zyrtarët rusë njoftuan se një aeroplan luftarak i llojit më të avancuar është rrëzuar gjatë një fluturimi trajnues, por piloti i tij ka arritur të largohet me sukses.

Aeroplani luftarak i tipit “Su-57” u rrëzuar afër qytetit Komsomolsk, në skajin lindor të Rusisë, gjatë një fluturimi trajnues. Ky ishte aksidenti i parë ku përfshihet një aeroplan i këtij modeli.

Shkaku i rrëzimit të aeroplanit ende nuk dihet. Sidoqoftë, sipas të dhënave preliminare, aksidenti ndodhi si pasojë e një problemi teknik në sistemin e kontrollit. 

Ky aeroplan ishte ngritur për herë të parë në qiell në janarin e vitit 2010. Ai është pajisje e avancuar fluturuese që mund të bartë pajisje dhe armë të sofistikuara.

Aeroplani është dizajnuar dhe prodhuar nga kompania “Sukhoi” dhe paraqet rivalitet për aeroplanin luftarak amerikan të tipit “F-22 Raptor”, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot Online)