Haradinaj: Zjarrfikësit meritojnë respekt për punën e tyre

  • 24 December 2019 - 14:44
Haradinaj: Zjarrfikësit meritojnë respekt për punën e tyre

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot përfaqësuesit e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Muharrem Beka, për të pranuar nga ta shqetësimet dhe kërkesat e tyre.

Me këtë rast kryeministri në detyrë Haradinaj tha se si Qeveri kanë punuar shumë në rregullimin e statusit të zjarrfikësve, të lënë peng prej vitesh dhe se janë marrë vendime, në përmbushjen e kërkesave që kanë pasur, siç është ndarja e mjeteve prej 600 mijë eurosh për pagesën e orëve shtesë, puna në projekt-ligjin e ri të Financave të Pushtetit Lokal dhe rregullimi i shumës së rrezikshmërisë.

Duke e çmuar lart punën e zjarrfikësve, kryeministri në detyrë Haradinaj shtoi se puna e tyre nuk do të shkojë pa u vërejtur.

“Puna më e madhe për zjarrfikësit është bërë në Ligjin e ri për pagat, ku ata janë pozicionuar denjësisht me paga meritore, derisa tani do të punojmë për adresimin e të gjitha kërkesave të tjera”, ka thënë kryeministri në detyrë Haradinaj.

Ndër tjerash, kryeministri në detyrë Haradinaj u shpreh se zjarrfikësit meritojnë respekt për punën e tyre në fushën e sigurisë dhe këtë respekt duhet ta adresojmë edhe në përmirësimin e gjithë infrastrukturës ligjore, për ta rikthyer ashtu siç e meritojnë, në një forcë nacionale.

Nga ana e tyre, zjarrfikësit falënderuan kryeministrin në detyrë Haradinaj për përkushtimin e tij për t’i dëgjuar nga ta shqetësimet me të cilat përballen zjarrfikësit.

(Kosova Sot Online)