Vuçiq zbulon gënjeshtrën e Edi Ramës: Evropianët s’e duan minishengenin

  • 24 December 2019 - 16:03
Vuçiq zbulon gënjeshtrën e Edi Ramës: Evropianët s’e duan minishengenin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për disa muaj e ka shndërruar Kosovën në një tabelë qitjeje. Kjo për faktin se Prishtina zyrtare ka injoruar nismën e tij dhe të Aleksandar Vuçiqit për minishengenin që u ngjiz në Novi Sad e që vazhdoj më pas në Ohrin e Zaevit dhe s’fundi në Tiranë.

Kreu i qeverisë shqiptare ka akuzuar Kosovën se me injorimin e kësaj ideje po i bën dëm vetes dhe ka theksuar se kjo nismë po mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Megjithatë një gjë e tillë po del të mos jetë e vërtetë. Ramën në gënjeshtër e ka nxjerrë kreu i shtetit serb, Aleksander Vuçiq, i cili në një intervistë për mediat serbe ka zbuluar Bashkimi Evropian nuk e dëshiron një nismë të tillë.

Në një intervistë për televizionin “O2”  Vuçiq  theksuar se mini-shengeni nuk kishte mbështetjen entuziaste të kryeqytetet evropiane . 

“Shumica e Evropës nuk dëshirojnë të shohin Ballkanin teksa merr në dorë fatin e vet. Me gjithë mospajtime në raportet Shqipëri-Serbi, në sensin e ekonomisë, Edi Rama ka treguar një kurajo të jashtëzakonshme”, ka thënë Vuçiq teksa ka folur për sinishengenin.

Tutje presidenti serb ka numëruar edhe përfitimet që do dalin për Beogradin nga një nismë e tillë. Sipas tij nga 2.5 miliardë sa planifikohen të jenë fitimet, rreth 1 miliardë do të shkojë në arkat e Serbisë, ani pse në kuadër të projektit të minishengenit planifikohet të përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Gjëja më e rëndësishme është se njerëzit do të marrin lirinë e lëvizjes dhe biznesi jonë do të fitojë më shumë. Do të reduktohen pritjet në kufij dhe ne do të kursejmë rreth 2.5 miliardë në total, Serbia të paktën 1 miliardë. Imagjinojeni se çfarë mund të bëjë Serbia me ato para”, ka thënë Vuçiq.

Përveç institucioneve dhe politikanëve në Kosovë, nismën për mini-shengen e ka kundërshtuar edhe Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në një reagim të lëshuar sot për media nga ASHAK-u është thënë se një nismë e tillë ka për qëllim shkatërrimin e rrugës evropiane të Ballkanit.

Gjithashtu janë përmendur edhe sulmet e njëpasnjëshme të Edi Ramës drejt Kosovës, duke i cilësuar si një hakmarrje të panevojshëm e cila ka një konotacion shqetësues sa i përket raporteve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në të ardhmen.

Ndërkohë dy Përfaqësuesit Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mattheë Palmer dhe Richard Grenell, kanë mbështetur deklarativisht një nismë të tillë, duke treguar se pa Kosovën në këtë projekt nuk mund të bëhet asgjë.

(Kosova Sot Online)