Haradinaj godet Ramën: Taksa rrugore e gjobit Kosovën me 13 milionë euro në vit

  • 24 December 2019 - 16:41
Haradinaj godet Ramën: Taksa rrugore e gjobit Kosovën me 13 milionë euro në vit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ia ka kujtuar sot gjatë ditës homologut të tij në Shqipëri, kryeministrit Edi Rama, dëmet që ia shkakton Kosovës, taksa e vendosur në Rrugën e Kombit. Në një paraqitje publike, Haradinaj ka thënë se kjo taksë, e gjobit Kosovën me 13 milionë euro për çdo vit.

Haradinaj ka deklaruar sot se viti 2019 nuk ka qenë vit i lehtë për ekonominë e vendit, derisa, ka kujtuar edhe disa ngjarje që e kanë shënuar vitin që po lëmë pas.

Kryeministri në detyrë tha se është e vërtetë që është rritur eksporti i Shqipërisë për 30 për qind në vend, e se ka arritur shifrat e 70 milionë euro. Mirëpo, ai nuk e la pa e përmendur dëmin që po i shkakton taksa në Rrugën e Kombit.  

Haradinaj u shpreh se vendosja e kësaj taksë është gabim, e kjo i ka shkaktuar Kosovës 13 milionë euro.

 “Është gabim i madh vendosja e taksës në Rrugën e Kombit, dhe e çmimit për skaner për një transportues 42 euro, dhe kjo ka rezultuar me 13 milionë euro taksë për shkëmbimet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai shton se këto miliona do të mund të ishin investuar për të lehtësuar qarkullimin e ndërsjelltë, e se shton se është i sigurtë se nga kjo Shqipëria do të mund të ishte rritur shumë.

“Sikurse këto 13 milionë euro t’i kishim investuar në lehtësirat e qarkullimit të ndërsjellë jam i sigurt që prej atyre 450 milionëve  Shqipëria do të mund të ishte rritur shumë. Kjo tregon se ne nuk i kemi kryer detyrat e shtëpisë Kosovë – Shqipëri por përkundrazi i kemi vendosur vetës pengesa duke e fajësuar njëri tjetrin”, theksoi kryeministri në detyrë Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe për taksën 100  për qind të vendosur për produktet serbe e boshnjake, teksa ka shtuar se do të ishte gabim nëse qeveria e re do të merrte vendim për ta larguar.


(Kosova Sot Online)