Si e “propozoi” Glauk Konjufca Vjosa Osmanin për Presidente?

  • 25 December 2019 - 12:43
Si e “propozoi” Glauk Konjufca Vjosa Osmanin për Presidente?

Lëvizja Vetëvendosje me gjasë do të mund të pajtohej me LDK’në për pozitën e presidentin, në rast se për këtë post do të nominohej Vjosa Osmani, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidate e kësaj partie për kryeministër.

Glauk Konjufca, anëtar i kryesisë së LV-së e njeriu i dytë më i votuar pas Albin Kurtit tha se me ndonjë emër të caktuar mund të mos kenë kurrfarë problemi që të propozohet për president.

“Unë mendoj që për ndonjë emër mund të mos kem kurrfarë problemi, por, është problem më i madh se vetë emri çështja. Çështja është kështu, ju duhet të garantoni se presidenti është i LDK’së. Nëse formulohet një çështje në kësi korniza pra presidenti i takon LDK’së prandaj ai do të vijë nga LDK ky është problem, është vështirë të tejkalohet”, shprehet ai.

Mirëpo, Konjufca thotë se opsioni A i bisedimeve është që presidenti të qëndrojë jashtë marrëveshjes. Në një skenar B sipas tij, thotë se nuk do të kenë kurrfarë problemi me emrin e Vjosa Osmanit.

“Mendoj që përderisa jemi në opsionin A e opsioni A është presidenti jashtë bisedave, unë mendoj që është kot të flasim për emra, nëse shkojmë në opsionin B edhe hyn edhe presidetni atëherë LV nuk mendoj që nuk ka kurrëfarë problemi me emrin e Vjosa Osmanit si president e Republikës së Kosoëvs në kuptimin e asaj se ajo besoj që do të përformonte, se unë me qëllim bile për arsye që të flasim më substancialisht e mora enkas pjesën e kushtetutës që flet për presidentin”, shton tutje. 

Konjufca është shprehur se është e rëndësishme se nga vjen presidenti e se beson se Osmani do të performonte me nder në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

 “Është e rëndësishme prej nga vjen presidenti, por e rëndësishme është edhe me hy në këto standarde kushtetuese, me vepru sipas këtyre kompetencave që ia përshkruan kushtetuta. Nëse fantazoj dhe ju po më kërkoni me fantazu dhe vi në përfundimin se Vjosa Osmani si një personalitet i skenës sonë politike e cila ishte edhe kandidate për kryeministre vjen në këtë pozitë e bën bekimin a do t’i performonte këto kompetenca me nderë në përputhje me Kushtetutën, unë do të thoja po, në kuptimin që në politikë është besimi. Unë besoj që po, nuk besoj që ajo në të vërtetë nuk do t’i bënte keq Kosovës”, ka thënë Konjufca.

(Kosova Sot Online)