VV e prek në tel Agim Veliun duke e përmendur Vjosa Osmanin si Presidente

  • 25 December 2019 - 12:53
VV e prek në tel Agim Veliun duke e përmendur Vjosa Osmanin si Presidente

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu ka thënë se Lëvizja Vetëvendosja nuk ka të drejtë në asnjë moment që ta përcaktojë se kush do të jetë president i vendit nga radhët e LDK-së.

Ai e bëri këtë koment pasi që deputeti i zgjedhur i VV-së, Glauk Konjufca deklaroi se Vjosa Osmani do të ishte emër i pranueshëm nga VV-ja për pozitën e presidentit.

Veliu këtë deklaratë të Konjufcës e ka quajtur të pa mençur dhe ndërhyrje në politikat e brendshme të LDK-së.

“Nuk ka të drejtë në asnjë moment VV-ja me përcaktu kandidatin e LDK-së se kush do të jetë as president e as në kurrfarë pozicioni tjetër. Po besoj që ky deklarim nuk ka qenë aq i meqëm i Konjufcës në këtë fazë kur po bëjmë përpjekje për ndërtimin e koalicionit për ndërtimin dhe mirëbesimit dhe thjeshtë kjo është një lloj ndërhyrje në politikat e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë Veliu.

I pyetur nëse do ta propozonin Vjosa Osmanin për presidente, Veliu ka thënë se LDK aktualisht nuk ka ndonjë emër konkretë por ka shtuar se partia e tij ka plotë emra që i plotësojnë kriteret për postin e presidentit.

“Lidhja Demokratike në këto momente nuk ka emër për kandidatin për president, në momentin e duhur organet e Lidhjes Demokratike të përcaktuara në bazë të statutit që vendosin për këtë çështje mblidhen edhe japin një emër, besoj që ka emra plotë që i plotësojnë kriteret kushtetuese për atë pozicion dhe nuk do të duhet të ketë këtu kurrfarë nxitimi sepse ende ka kohë edhe pak, tani më është një president në detyrë. Fundja kjo është çështja parimore e LDK-së që po angazhohet për një balancimi të pushteteve”, ka thënë Veliu. 

Glauk Konjufca i ftuar mbrëmë në emisionin Debat Plus, ka deklaruar se Vetëvendosja nuk ka kurrfarë problemi me emrin e Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës.

“Është e rëndësishme prej nga vjen presidenti, por e rëndësishme është edhe me hy në këto standarde kushtetuese, me vepru sipas këtyre kompetencave që ia përshkruan kushtetuta. Nëse fantazoj dhe ju po më kërkoni me fantazu dhe vi në përfundimin se Vjosa Osmani si një personalitet i skenës sonë politike e cila ishte edhe kandidate për kryeministre vjen në këtë pozitë e bën bekimin a do t’i performonte këto kompetenca me nderë në përputhje me Kushtetutën, unë do të thoja po, në kuptimin që në politikë është besimi. Unë besoj që po, nuk besoj që ajo në të vërtetë nuk do t’i bënte keq Kosovës”, ka thënë Konjufca.

(Kosova Sot Online)