Talibanët rrëmbejnë 27 aktivistë në Afganistan

  • 25 December 2019 - 13:57
Talibanët rrëmbejnë 27 aktivistë në Afganistan

Militantët talibanë i kanë rrëmbyer 27 aktivistë të paqes nga një autostradë në provincën perëndimore afgane, Farah. Lajmin e bënë të ditur zyrtarët lokalë.

Massoud Bakhtawar, zëvendësguvernator i kësaj province, tha se aktivistët e rrëmbyer ishin duke udhëtuar me gjashtë vetura nga Herati në Farah të martën në mbrëmje, kur kolona e tyre u ndalua nga talibanët. Ata janë dërguar në një lokacion të panjohur.

Një anëtar i grupit të këtyre aktivistëve, i cili nuk ishte duke udhëtuar me grupin e personave të rrëmbyer, tha se ata kishin planifikuar të udhëtojnë nëpër pjesë të ndryshme të provincës Farah për të bërë thirrje për paqe dhe armëpushim mes palëve të konfliktit në Afganistan.

Grupi i quajtur “Lëvizja Popullore për Paqe” është formuar për të protestuar kundër sulmeve të dhunshme pas shpërthimit të një veture bombë në një stadium në provincën Helmand vitin e kaluar, ku vdiqën 17 civilë dhe u plagosën 50 të tjerë.

Që nga viti i kaluar, aktivistët kanë udhëtuar nëpër pjesë të ndryshme të vendit, përfshirë zonat e kontrolluara nga talibanët, për të kërkuar paqe dhe armëpushim mes forcave qeveritare dhe talibanëve.

Talibanët më parë e kanë akuzuar këtë grup se është i financuar nga qeveria afgane, gjë që është mohuar nga aktivistët, shkruan “Reuters”.