Tërmkolli-VV’së: Mos shantazhoni, krijoni qeverinë me LDK-në apo me kë të doni

  • 26 December 2019 - 12:26
Tërmkolli-VV’së: Mos shantazhoni, krijoni qeverinë me LDK-në apo me kë të doni

Ish-deputetja e LDK’së, Melihate Termkolli, po i cilëson si shantazh ndaj popullit deklaratat e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Teksa ka përmendur një intervistë të deputetit të zgjedhur të VV’së, Haki Abazi, Tërmkolli ka thënë se deklaratat e tipit se të gjithë do të largohen nga Kosova në rast se nuk qeveris Vetëvendosje janë deklarata marksiste-leniniste.

Sipas saj një qasje e tillë nga Vetëvendosje është e rrezikshme, duke thënë se partia që drejton Albin Kurti duhet të kuptojë përgjegjësitë që ka marrë nga zgjedhjet e 6 tetorit.

“Përdorimi i frikës për zbrazje të Kosovës, si atu për një pushtet absolut, është e rrezikshme dhe e papranueshme. Zbrazja tanimë mund të rritet në radhë ta parë për shkak të paaftësisë së VV-së për formimin e institucioneve. Përtej euforisë dhe shantazheve, është koha që VV të kuptojë përgjegjësitë e saj në situatën e tanishme, si përgjegjësja kryesore për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019”, ka shkruar Termkolli.

Ndër të tjera Termkolli ka thënë se nuk është çudi nëse Vetëvendosje hedh gaz lotsjellës edhe në seancën e sotme. Sipas saj partia e Kurtit vetëm një gjë të tillë di ta bëjë.

Shkrimi i plotë:

VV, po shantazhon shtetin dhe “popullin”! 

Njëri nga eksponentët kryesorë të VV, mbrëmë në T7, deklaroi se nëse nuk bëhet qeveria e VV, “të gjithë do të largohemi” nga Kosova, sepse qeveria e VV “ është shpresa e fundit”. Nuk ka shantazh më të madh që i bëhet Kosovës se sa deklaratat e tilla të tipit marksist-leninist, se nëse ata nuk e kanë tërë pushtetin, në këtë vend ndodhë apokalipsi, bëhet hataja, përmbyset krejt bota. E vërteta është se është krijuar një “shpresë”, më tepër një eufori nga shumë segmente të interesuara për situata të tilla. Në fakt, në radhë të parë, për shkak të qeverisjes kriminale në këtë vend për kohë të gjatë. E ditur, se euforitë, si gjithnjë janë iracionale, shpejt vijnë edhe më shpejt shkojnë. Tani qytetarët dhe të gjithë po shohin se VV-ja, më tepër se shtetin, e duan pushtetin. Përdorimi i frikës për zbrazje të Kosovës, si atu për një pushtet absolut, është e rrezikshme dhe e papranueshme. Zbrazja tanimë mund të rritet në radhë ta parë për shkak të paaftësisë së VV-së për formimin e institucioneve. Përtej euforisë dhe shantazheve, është koha që VV të kuptojë përgjegjësitë e saj në situatën e tanishme, si përgjegjësja kryesore për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019. Apokalipsi i Kosovës ka përfunduar më 1999. Thirrja dhe nxitja për një apokalips të ri në këtë vend, jo veë që nuk e amniston VV-në nga përgjegjësia por e bënë fajtorin kryesor. Nuk është koha për shantazhe, për hedhje faji as për viktimizim. Formojini institucionet, me LDK-në apo me kë të doni.

Përndryshe, në vazhdën e mendësisë së saj politike, nuk është ëudi që VV, edhe në seancën e sotme konstituive të Kuvendit të hedhë gaz lotsjellës (helmues), ose nesër të organizojë protesta. Është e dhimbshme nëse dijnë të bëjnë vetëm këtë.

(Kosova Sot Online)