Vetëvendosje në udhëkryq, këto janë opsionet që i kanë mbetur  

  • 26 December 2019 - 18:16
Vetëvendosje në udhëkryq, këto janë opsionet që i kanë mbetur  

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, pjesëtari i shoqërisë civile në Kosovë, dhe analisti politik Krenar Shala, ka dal me një reagim, ku ka thënë se më nuk pritet të ketë marrëveshje LDK-VV.

Por, ai ka dhënë një opsion me të cilin mund të ndodh një gjë e tillë, vetëm në qoftë se VV-ja ia jep kryeministrin LDK-së.

Ndërsa, ai përmes një postimi në Facebook, është shprehur se  ka edhe një opsion tjetër që është krijimi i qeverisë me pakicën.

“Kuvendi u konstituu. Marrëveshja potenciale VV-LDK përfundimisht perëndoi. Pra nuk pritet marrëveshje, përpos nëse VV-ja ia len postin e kryeministrit LDK-së, gjë që nuk ka gjasa të ndodhë. Ose, opsioni tjetër është krijimi i qeverisë së pakicës - qeveri e cila do të jetë më jetë-shkurta në historinë e re politike të Kosovës”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Shala është shprehur se tani VV-ja ka 15 ditë për krijimin e Qeverisë së Kosovës, dhe për këtë ka një opsion tjetër, i cili është me PDK-në dhe AAK-në.

“Tash VV-ja i ka 15 ditë për me e formu qeverinë. Masi me LDK-në nuk po bëhet, atëherë opsioni tjetër është ai me PDK-në dhe AAK-në. Nëse refuzon me bo koalicion me këto dyjat, atëherë Presidenti nominon dikon tjetër prej partisë së dytë, pra LDK-së, për formimin e qeverisë (shënim: sipas akt-vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti gëzon të drejtën ekskluzive për nominimin e dytë, pas dështimit të nominuesit të parë për formim të qeverisë. Pra, presidenti mundet me ja dhanë prap mundësinë VV-së, po jo Albinit, për me formu qeverinë, por mundet edhe me ja dhanë partisë së dytë). Nëse edhe LDK-ja nuk mundet, atëherë vendi shkon në zgjedhje”, ka shkruar Shala në Facebook.

(Kosova Sot Online)