Spiunët e UDB-së, eksperti i sigurisë jep lajmin e keq: Ja kush po e pengon zbulimin e tyre

  • 27 December 2019 - 07:32
Spiunët e UDB-së, eksperti i sigurisë jep lajmin e keq: Ja kush po e pengon zbulimin e tyre

“Besoj se kjo nuk do të ndodhë ngase fuçia e atyre që sabotojnë këtë punë është më e madhe se sa e atyre që dëshirojnë ta zgjidhin këtë çështje që po i rri Kosovës varur si guri në qafë. Kush do të besonte se Hxhi Lleshi, president i Shqipërisë për 30 vite ka qenë spiun i jugosllavëve, deri sa kjo nuk u vërtetua nga dosjet e shërbimeve inteligjente britanike dhe amerikane”, thotë eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse është folur shumë dhe është debatuar për prezencën e ish spiunëve të UDB-së, regjimit serbo jugosllav në institucionet e Kosovës, nga një legjislaturë e Kuvendit në një tjetër, pak kush beson që së paku në këtë legjislaturë të re, do të mundë të iniciohet bërja e Ligjit të Lustracionit dhe hapja e dosjeve të spiunëve të ish regjimit të kaluar.

E për “Kosova Sot Online”, rreth këtij problemi shumë serioz, ka folur eksperti i fushës së sigurisë, Fadil Kajtazi.

Sipas Kajtazit, bashkëpunëtorët e shërbimeve inteligjente të vendeve armiqësore me Kosovën, apo spiunët, janë çështja më komplekse dhe më e ndjeshme e cila do zgjidhje, për faktin se prezenca e agjenturave të huaja në një shtet të konsoliduar shkakton telashe të mëdha, e kur flasim për shtete si Kosova, dëmet janë sa është vështirë vetëm të imagjinohen.

Image
Fadil Kajtazi

“Dhe detyra kryesore që një shërbim inteligjent armiqësor ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, në këtë rast, është sabotimi. Dhe për vrojtuesin e kujdesshëm nuk do shumë që të konstatoj së aparati shtetëror i Kosovës dhe në përgjithësi jeta shoqërore po sabotohet përmes agjenturës influence. Deri tani janë bërë debate të shumta se si të zgjidhet kjo çështje, pasi baza e krijimit të agjenturës serbe në Kosovë kanë qenë ish spiunët që u rekrutuan që para vitit 1912, të bartur brez pas brezi deri më 1999, prandaj është një çështje shumë e ndërlikuar pasi dosjet kryesisht janë jashtë Kosovës, dosjet janë në Serbi dhe në posedim të BIA”, thotë eksperti i fushës së sigurisë, Fadil Kajtazi për “Kosova Sot Online”.

Ndërkohë, ithtarët e zgjidhjes së kësaj çështje përmes hapjes së dosjeve, sipas Kajtazit kanë njohuri të cekëta së i përket asaj se çka në të vërtetë është një dosje e shërbimit inteligjent, në këtë rast serb.

“Shërbimi inteligjent pa informator të fshehtë-spiunë, është thjeshtë shtëpi mediatike, portal ose gazetë. Baza e funksionimit të një shërbimi Inteligjent janë spiunët dhe metoda e punës. Prandaj funksionimi i shërbimit varet nga infiltrimi i spiunëve te kundërshtari dhe ruajtja e tyre. Për t’u ruajtur ata sa më mirë, të gjithëve ju vihet një pseudonim apo kod (RIKI, ALESH, NIPI, DRAGASH, RUNO, ÇFTELIA, LAZANA etj disa nga pseudonimet e spiunëve të SDB-së, dhe në dosjet operative nuk figurojnë emrat e tyre. Për t’u identifikuar ata duhet ose të merret lista e evidencës së tyre, që duhet ta bëj AKI në këtë rast, ose duhet të sigurohen dosjet operative mbi subjektin, në të cilat figuron vetëm pseudonimi i spiunit, dhe identifikimi i tij mund të bëhet më së miri nga ish punëtorët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Kosovës”, shton Kajtazi për “Kosova Sot Online”.

Më tej, sipas Kajtazit kjo punë është dashur të bëhet menjëherë pas luftës, por ajo u pengua pikërisht nga spiunët e instaluar në partitë politike, në UÇK dhe në institucione të veshura me petkun e patriotit.

“Sepse ata nga frika e dekonspirimit dhe të mbështetur nga BIA dhe VBA, e menaxhuan për mrekulli këtë punë duke u zvarritur në hierarkinë e institucioneve shtetërore dhe partiake, dhe duke i eliminuar edhe fizikisht personat potencial që kanë pasur njohuri për ta”.

Sido qoftë, Kajtazi beson se po të ketë vullnet serioz të politikës dhe institucioneve të shtetit të Kosovës, për t’i zbuluar ish shërbëtorët e atij regjimi, tani ka disa mundësi të lehta nëpërmes shërbimeve të shteteve të ish Jugosllavisë.

“Një rrugë tjetër e identifikimit të tyre është edhe partneriteti me shërbimin inteligjent kroat, slloven dhe boshnjak. Bile ai boshnjak ka publikuar listën e bashkëpunëtorëve ku kanë dal numër i konsiderueshëm shqiptarësh nga Kosova. Ata posedojnë dosjet e emigracionit politik shqiptar veç e veç për secilin shtet ku ka pasur emigracion. Ato tash më duhet të jenë të de klasifikuara dhe mundësia e marrjes së tyre në rrugë zyrtare ekziston, por identifikimi i asaj që është e nevojshme, pra të spiunëve mund të bëhet nga ish punëtorët e SDB të cilët tani janë në moshë dhe dita ditës po pakohen”, deklaron Kajtazi për “Kosova Sot Online”.

Mirëpo kjo sipas tij nuk ka ndodhur, dhe nuk është e pritshme të ndodhë as tani, ngase fuqia e spiunëve të instaluar në politikë dhe institucione, është më e madhe se e atyre që kërkojnë zbulimin dhe identifikimin e tyre.

“Besoj se kjo nuk do të ndodhe nga se fuçia e atyre që sabotojnë këtë punë është më e madhe se sa e atyre që dëshirojnë ta zgjidhin këtë çështje që po i rri Kosovës varur si guri në qafë. Kush do të besonte se Hxhi Lleshi, president i Shqipërisë për 30 vite ka qenë spiun i jugosllavëve, deri sa kjo nuk u vërtetua nga dosjet e shërbimeve inteligjente britanike dhe amerikane”, përfundon eksperti i fushës së sigurisë, Fadil Kajtazi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)