Vjen ‘goditja’ dhe paralajmërimi i rëndë për VV-në dhe LDK-në: Ja pse dështoi marrëveshja

  • 27 December 2019 - 07:43
Vjen ‘goditja’ dhe paralajmërimi i rëndë për VV-në dhe LDK-në: Ja pse dështoi marrëveshja

“Aktualisht janë në ardhje dy forca politike nga Diaspora (PDD dhe FED), të cilat do ta sfidojnë skenën politike kosovare në zgjedhjet e radhës. Por forca e vërtetë e Diaspores akoma nuk është mobilizuar. Jemi në pritje të një zhvillimi të brendshëm politik, që bashkon të gjitha forcat progresive, në të kundërtën do të dimë si t'i dalim zot vendit tonë”, thotë analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës, ani pse nuk kishte një marrëveshje koalicioni mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

E shkuarjen e LVV-së dhe LDK-së në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Florim Zeqa e konsideron si një shpërfillje të rëndë të votës së elektoratit nga ana e këtyre dy partive politike, kurse përçarja mes tyre shkon vetëm në llogari të atyre që deri sot keqqeverisën dhe ia nxinë jetën qytetarit të Kosovës.

Sipas Zeqës, zgjedhjet e reja janë zgjidhja e fundi e pa dëshirueshme, por që në këtë rast do të mundë të kyçen edhe subjektet politike nga diaspora për ta sfiduar keqqeverisjen e deritanishme të partive politike që po sillen me papërgjegjshmëri.

Image
Florim Zeqa

“Dështimi i (pa) pritur i marrëveshjes Vetëvendosje-LDK ka shkaktuar indinjatë dhe zhgënjim të thellë tek elektorati i këtyre dy subjekteve politike. Paralajmërimet e mëhershme të këtyre dy subjekteve për përafrim të qëndrimeve rreth marrëveshjes për bashkëqeverisje na dolën të jenë një mashtrim i madh për qytetarët të cilët votuan për ndryshim me 6 tetor. Përgjegjësia për dështim bie mbi dy subjektet politike (LVV dhe LDK), të cilat asnjëherë dhe për asgjë nuk arritën të bashkërendojnë veprimet edhe si parti opozitare në Kuvend, as në fazën parazgjedhore dhe as pas përfundimit të zgjedhjeve. Sikurse njëra, ashtu edhe tjetra u treguan të papërgjegjshme ndaj vullnetit të elektoratit për ndryshim. Dështimi i koalicionit nuk erdhi si rezultat i aspekteve programore dhe as i ndarjes së "përgjegjësive" siq po e proklamojnë këto dy parti, por si pasojë e egos për pushtet, përkatësisht për dominim ndaj njëra-tjetrës në qeverisjen e vendit”, thotë analisti, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Megjithatë, analisti Zeqa thotë se LVV për një nuancë u tregua më gjeneroze në ndarjen e "përgjegjësive", përderisa LDK tentoi ta përligj një standard të pa shkruar kushtetues për futjen e postit të presidentit në marrëveshjen qeverisëse, praktikë kjo e mëhershme e LDK-së që e bëri Hashim Thaçin president, në këmbim të postit të kryeministrit për liderin e saj.

“Prandaj erdhi deri te dëshmimi i marrëveshjes për të shkuar të bashkuar në Kuvend. Në këtë aspekt, LVV-ja nuk i ka asnjë lloj borxhi LDK-së për postin e presidentit, dhe se ndarja e përgjegjësive qeverisëse do duhej të ishte e barabartë dhe pas asnjë kushtëzim shtesë siç e bëri LDK-ja. Si do që të jetë, ky është epilogu i negociatave në mes këtyre dy subjekteve”, shton Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas Zeqës, krijimi i institucioneve të reja është tepër i domosdoshëm dhe duhet të gjendet formula kushtetuese që të ndërtohen ato, kurse shkuarja në zgjedhje të reja të jetë opsioni i fundit, ngase ato janë vetëm një maltretim dhe ndëshkim për qytetarët e zhgënjyer.

“As që duhet dhënë hapësirë shtesë këtyre dy subjekteve për bisedime të reja, për shkak se dy rival politik që nuk arrijnë marrëveshje për 4 muaj, nuk mund të qeverisin me vendin 4 vjet. Në këtë rast, duhet të respektohen afatet dhe rregullat kushtetuese për inaugurimin e kuvendit dhe krijimin e qeverisë, pa përjashtuar mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme. Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme do të jetë një maltretim shtesë për qytetarët dhe kosto e lartë për buxhetin e shtetit. Në zgjedhjet e reja do të ndëshkohen pamëshirshëm partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit (LDK dhe LVV) që rrëmbyen besimin e elektoratit me premtimin për ndryshime rrënjësore, por që dolën të jenë një mashtrim i madh për qytetarët. Me këto parti politike të konsumuara nuk do të ndodhë asnjëherë ndryshimi në këtë vend”, thekson Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Për fund, Zeqa thotë se partitë e reja politike, lëvizjet qytetare që mundë t’i sfidojnë këto subjekte të shpenzuara e të degraduara, janë gati të marrin përgjegjësi, dhe ati vijnë nga zëri dhe vullneti i diasporës kosovare.

“Aktualisht janë në ardhje dy forca politike nga Diaspora (PDD dhe FED), të cilat do ta sfidojnë skenën politike kosovare në zgjedhjet e radhës. Por forca e vërtetë e Diaspores akoma nuk është mobilizuar. Jemi në pritje të një zhvillimi të brendshëm politik, që bashkon të gjitha forcat progresive, në të kundërtën do të dimë si t'i dalim zot vendit tonë”, përfundon Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)