Zgjidhet kryeparlamentari, çka ndodh pas kësaj

  • 27 December 2019 - 07:49
Zgjidhet kryeparlamentari, çka ndodh pas kësaj

Parlamenti i Kosovës u mblodh të enjten pasdite dhe zgjodhi kryetarin e ri. Me 75 vota për, 27 kundër dhe 6 abstenime, Glauk Konjufca u zgjodh kryetar i parlamentit të Kosovës.

Propozimi u hodh papritmas nga kryetari i kësaj lëvizjeje Albin Kurti dhe më pas parlamenti zgjodhi edhe nënkryetarët duke bërë që kjo të jetë zgjedhja më e shpejtë e udhëheqjes së tij që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Mbledhja e parë e parlamentit u mbajt pa një marrëveshje politike për bashkëqeverisje ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje që doli e para dhe Lidhjes Demokratike që doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit. Që nga përfundimi i zgjedhjeve kur kishin filluar edhe negociatat ndërmjet këtyre partive për bashkëqeverisje është thënë se posti i kryetarit të parlamentit do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas mbledhjes, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se “sot është një ditë shumë e mirë demokracinë, për shtetndërtmin në Kosovë, meqenëse u konstituua kuvendi i ri, Kuvendi është tempull i demokracisë dhe ligjvënies, prandaj jam i bindur që me këtë hap kemi treguar një lloj qytetërimi demokratik sepse për dallim nga legjislatura e gjashtë ne nuk kemi bllokuar konstituim të institucioneve dhe me dashamirësi dhe interesin përgjithshëm para çdo lloj interesi tjetër besoj që do të tejkalojmë të gjitha pengesat dhe të kemi edhe qeveri të re ashtu siç patëm kuvend të ri”.

Ai tha se pret bashkëpunim nga Lidhja Demokratike e me të cilën siç tha, “jemi në kontakt të rregullt”.

Pak orë para mbledhjes së parlamentit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se “marrëveshja duhet të përfshijë ndarjen reciproke të pushtetit, pesë ministri për Vetëvendosjen dhe pesë për LDK-në. Posti i kryeministrit për Vetëvendosjen, kurse i zëvendëskryeministrit të parë për LDK-në. Kurse kryetari i Kuvendit dhe posti i presidentit, sipas tij, duhet t’i besohen LDK-së. Në shkëmbim, ai tha se Vetëvendosje pastaj më 2021, kur do të zgjidhej presidenti, do të merrte edhe një ministri nën udhëheqje.

“Nëse lëvizja Vetëvendosje nuk është gati për këtë marrëveshje dhe e sheh LDK-në si pengesë, atëherë unë deklaroj që LDK-ja është e gatshme të heqë dorë nga të gjitha përgjegjësitë institucionale. LDK shpreh gatishmërinë që të votojë pa asnjë kusht qeverinë e lëvizjes Vetëvendosje”, tha zoti Mustafa.

Pas mbledhjes së parlamentit, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike tha se kjo parti u qëndroi besnike pohimeve se nuk do të bllokojë themelimin e institucioneve.

Të mërkurën në mbrëmje kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social facebook, tha se Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar ofertën e fundit të partisë së tij.

“Ajo i kishte tri pika: pika 1: VV-së si parti e parë, i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë, LDK-së i takon nënkryetari i dytë. Le ta bëjmë rokadën midis kryeparlamentarit dhe nënkryetarit të dytë të Kuvendit. Kryeparlamentarin e merr LDK ndërkaq nënkryetarin e dytë VV-ja. Pika 2: Çështjen e presidentit më së miri e lëmë për më vonë. Mirëpo nëse LDK-ja patjetër insiston që ne patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri: Ministria e Punëve të Brendshme e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nominimi i LDK-ja për kandidatin për president bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet koncensual jashtëpartiak, kurse kur të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij ose saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i VV-së. Dhe pika 3: sipas kërkesës së LDK-së, ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet me ç’rast Kultura dhe Rinia i kalojnë ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ndërkaq Sporti i kalon ministrisë së Shëndetësisë. Pakicat joserbe e marrin ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose atë të Pushtetit Lokal, kurse pakica serbe ministrinë për Komunitetet”, tha ai.

Ambasada amerikane përgëzon deputetët

Ambasada amerikane në Kosovë mirëpriti mbledhje e parlamentit duke përgëzuar kryetarin Glauk Konjufca.

“Ne inkurajojmë liderët politikë që të formojnë një qeveri të re menjëherë, e cila është e përkushtuar për të përmbushur mandatin e votuesve. Ne presim që të punojmë me qeverinë e re, në çështjet që lidhen me paqen, drejtësinë dhe mirëqenien”, thuhet në një deklaratë të kësaj ambasade.

Presidenti Thaçi kërkon formimin e shpejtë të qeverisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi uroi deputetët nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale duke theksuar se “Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara, që kërkojnë nivel të lartë të përgjegjësisë për t’i tejkaluar, prandaj të gjithë të zgjedhurit e popullit duhet t’i lënë anash interesat politike dhe të punojnë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës”.

Tani për tani është e paqartë se cila do të jetë rrjedha e procesit të ngritjes së qeverisë së re.

Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës i propozon parlamentit kandidatin për kryeministër, në këshillim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme.

Por, ky vendim varet nga negociatat e partive fituese, vazhdimi i të cilave mbetet i paqartë tani për tani.

Kosova ka përvojë të proceseve të gjata të negocimit të koalicioneve qeverisëse në të kaluarën. Vëzhguesit ndërkaq thonë se vendi ndodhet në një periudhë kur duhet përshpejtuar proceset për të shmangur zgjatjen e një boshllëku institucional që mund të ketë pasoja për të ardhmen, apo shmangien e mundësive që vendi të shkojë në zgjedhje, në vend që të gjejë një zgjidhje.

(Kosova Sot Online)