Albin Kurti flet për dy ftesat e Hashim Thaçit, tregon kur do të takohen

  • 27 December 2019 - 20:25
Albin Kurti flet për dy ftesat e Hashim Thaçit, tregon kur do të takohen

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se ftesat e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për takim, ishin të shpejta dhe takime ‘sot për sot’.

“Po, është e vërtetë që unë sot kam marrë dy ftesa, por agjenda e figurave shtetërore është shumë e ngjeshur dhe ne nuk mund të bëjmë takime sot për sot, përveç kur bëhet fjalë për fatkeqësi natyrore ose luftëra. Shyqyr nuk është asnjëherë prej tyre, prandaj  në ditët në vijim, natyrisht se ne do të takohemi për konsultime lidhur me Qeverinë e re dhe me mua si mandatar për formimin e saj. Por nuk është mirë të shkojmë nga një ekstrem në tjetrin, kur në njërën anë seanca konstituve u caktua në ditën e fundit tash të vazhdojmë me dy ftesa në ditë”, ka thënë Kurti.

Pas konstituimit të Kuvendit, Kurti theksoi se pret që njëjtë të shkojë edhe formimi i Qeverisë së re, të cilës pritet t’i prijë vetë ai.

“E them se pak kush ka besuar se konstituimi do të shkojë kaq mirë e shpejtë, unë jam optimist që do të vazhdojmë edhe më tutje njëjësoj edhe me Qeverinë. Nuk bën të vonohemi aq më pak të nxitohemi”, u shpreh ai. 

Kurti ka treguar se ku ishte gjatë ditës së sotme ndërsa ka thënë se nuk mund t’i presë ftesat e tilla.

“Nuk përtoj asnjëherë, jam njeri i palodhshëm, unë do t’i bëj shqyrtimin e atyre neneve të Kushtetues të përmendura dhe tash për tash e kemi Kuvendin e Kosovës. Unë kam qenë në Shkup më herët dhe unë nuk e kam agjendën sot për sot ashtu siç ishin ftesat. Nuk jemi gjimnazistë që të shkruhemi për kafe për takime sot për sot”, tha ai.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme presidenti Thaçi dërgoi dy ftesa në drejtim të liderit të LVV-së, Albin Kurti, por ai refuzoi të ta takonte atë.

(Kosova Sot Online)