Selimi: Para prokurorëve në Hagë nuk heshta, as nuk këndova, por...

  • 27 December 2019 - 21:29
Selimi: Para prokurorëve në Hagë nuk heshta, as nuk këndova, por...

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, ka folur për paraqitjen e tij para prokurorëve të Gjykatës Speciale në Hagë, të cilët e morën në pyetje në nëntor.

Selimi, tani deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se para prokurorëve “fola – nuk heshta, as nuk këndova”.

Ai ka thënë se nuk ka qenë “vendi për të heshtur, as për të kënduar”.

“Është një vend, një fushëbetejë, ta quaj kushtimisht, mes të drejtës dhe padrejtësisë”, është shprehur Selimi.

“E vetmja armë për ta mbrojtur atë që përfaqësojmë është fjala. Aty ku flitet për ne nuk duhet t’ia mohojmë vetes të flasim për veten”, ka thënë ai. 

Selimi është pyetur se cili ka qenë reagimi i prokurorëve të Speciales, teksa ai fliste para tyre.

“Nuk jam në gjendje ta lexoj reagimin e atyre prokurorëve me përvojë shumë të lartë, dhe nuk ia jap të drejtë vetes të vlerësoj si kanë reaguar ata. Por s’më ka bërë përshtypje reagimi i tyre”, është shprehur ai.

“Kam bërë punën time, dhe kam thënë sapo jam kthyer, se në raport me mua kanë qenë shumë profesionistë, shumë serioz, dhe shumë korrektë”, ka deklaruar Selimi.

“Kjo më ka krijuar komoditet që të flas bindshëm atë që ne duhet ta flasim atje”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)