“Liberalizimi i vizave për Kosovën”, eksperti i sigurisë jep lajmin e keq

  • 28 December 2019 - 07:44
“Liberalizimi i vizave për Kosovën”, eksperti i sigurisë jep lajmin e keq

“Nëse edhe kjo qeveri në ardhje nuk e lufton krimin e organizuar dhe e shpërfillë fuqizimin e së drejtës dhe procesin e reformimit në drejtësi dhe institucione tjera ku luftohet krimi, liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë as në vitin 2020 dhe viteve tjera në vijim, dhe për më keq, do të vjen në pikëpyetje edhe ekzistimi i shtetit të Kosovës”, tha Tërnava për “Kosova Sot Online”.

Raportuesi për Kosovën në Bashkimin Evropian, Peter Beyer, ditë më parë tha në Prishtinë se liberalizimi i vizave për Kosovën mund të ndodhë vitin tjetër, madje duke u deklaruar hapur se Gjermania e përkrah këtë proces.

“Ne e mbështesim procesin e liberalizimit të vizave për Kosovës dhe them se heqja e vizave mund të ndodhë tjetrin vit”, ka thënë Peter Beyer.

Për këto paralajmërime pozitive dhe sfidat që dalin para institucioneve të Kosovës, për “Kosova Sot Online” ka folur eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Image
Hajrullah Ternava

“Tani për qytetarët e Kosovës kjo çështja e liberalizimit të vizave është bërë tabu temë, qe sa vite na thonë se vizat kanë me u liberalizua këtë vit, e kur të kryhet viti thonë në tjetrin vit, por qytetarët e Kosovës janë të vetmit që janë geotizur-izoluar në Evropë dhe qe sa vite e presin me padurim këtë liberalizim të vizave. Prandaj jo rastësisht të rinjtë e Kosovës e kanë humbur shpresën e të jetuarit në Kosovë, dhe tani ditë e për ditë migrojnë në shtete të ndryshme të perëndimit”, tha Tërnava për “Kosova Sot Online”.

Sipas Tërnavës, një nga anët pozitive të deklarimit të shtetit gjerman për vizat, është se Kosova i ka plotësuar kriteret, prandaj mbetet në përgjegjësinë e BE-së që ta mbaj këtë vlerësim kurse institucionet e Kosovës ta avancojnë akoma më shumë sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Është pozitive që ky raportuesi për Kosovën në Bashkimit Evropian Peter Beyer po na premton liberalizimin e vizave për vitin tjetër në ardhje (2020), duke u deklaruar hapur se Gjermania e përkrah këtë proces, dhe po me të njëjtat fjalë foli edhe deputeti tjetër gjerman që tha se Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim por nuk e dine saktë se kur do të hapet kjo temë për diskutim në Këshillin Evropian. Kosova e ka provojnë e saj të deritashme lidhur me këtë çështje, se Këshillin Evropian e formojnë numër i madhe i shteteve evropiane, gjithsej 29, prandaj deri më tani shumë nga shtetet e BE-së kanë pasur vërejtje në mos luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, prandaj kjo vërejtje e ndërkombëtarëve, evropianëve, duhet të merret seriozisht dhe nga spektri politik i Kosovës, nga institucionet, që të luftohet më me përkushtim kjo e keqe e madhe dhe ti bindin ndërkombëtarët se qytetarët e Kosovës janë në çdo aspekt pjesë Evropës, të gatshëm që t’i luftojnë të gjitha të këqijat në këtë vend”, theksoi Tërnava për “Kosova Sot Online”.

Sipas Tërnavës, ndërkombëtarët, por edhe qytetarët presin shumë nga Qeveria e re në formim e sipër, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, pengesa kryesore e deritanishme që e ka mbajtur të izoluar shtetin e Kosovës.

“Partitë që ishin në pushtet që nga çlirimi e deri më tani, me qeverisjet e tyre kriminale e kanë katandisur këtë vend deri në këtë nivel që shumëkujt i ka humbur shpresa për të jetuar në Kosovë. Prandaj qeverisjes në ardhje i kërkohet ta fuqizoj të drejtën e qytetarëve e për të jetuarit nën konditat e kushteve që ua garanton Kushtetuta e Kosovës, por paraprakisht duhet të bëhen reforma në drejtësi dhe institucione tjera ku duhet të luftohet e të ç’rrënjoset krimi në tërësi. Nëse edhe kjo qeveri në ardhje nuk e lufton krimin e organizuar dhe e shpërfillë fuqizimin e së drejtës dhe procesin e reformimit në drejtësi dhe institucione tjera ku luftohet krimi, liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë as në vitin 2020 dhe viteve tjera në vijim, dhe për më keq, do të vjen në pikëpyetje edhe ekzistimi i shtetit të Kosovës”, përfundoi Hajrullah Tërnava për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)