Politikani anti-islamik holandez kthen garën për karikatura të profetit Muhamed

  • 29 December 2019 - 08:45
Politikani anti-islamik holandez kthen garën për karikatura të profetit Muhamed

Politikani holandez me qëndrime anti-islame, Geert Wilders, e ka ringjallur planin e tij për të mbajtur një garë me karikatura të figurës së profetit Muhamed, më shumë se një vit pasi një garë e tillë ishte anuluar për shkak të frikës nga sulmet.

Përmes një postimi në orët e vona të së shtunës në Twitter, politikani Wilders bëri thirrje që njerëzit t’i dërgojnë karikaturat e profetit Muhamed në adresën e tij.

“Liria e shprehjes duhet të ngadhënjejë ndaj dhunës dhe fetfave islamike”, shkroi lideri i partisë më të madhe opozitare në Holandë.

I njëjti politikan e kishte anuluar një garë të ngjashme në gusht të vitit të kaluar pasi policia holandeze e kishte arrestuar një person që kishte kërcënuar se do ta vrasë atë për shkak të këtij plani. 

Në atë kohë, plani për ta mbajtur këtë garë kishte nxitur protesta masive në Pakistan. Një parti pakistaneze, e cila i kishte organizuar këto protesta, madje kishte bërë thirrje që të gjitha shtetet islamike t’i shkëpusin marrëdhëniet me Holandën.

Paraqitja e figurës së profetit Muhamed në vizatime është e ndaluar në Islam për shkak se kjo cilësohet nxitje për adhurim të njeriut në vend të Zotit. Kështu, për myslimanët, karikaturat janë shumë fyese, sidomos kur bëhet fjalë për profetin e tyre.

Në vitin 2005, gazeta daneze “Jyllands-Posten” kishte publikuar vizatime të figurës së profetit Muhamed. Kjo gjë kishte nxitur protesta në shumë vende të botës islame dhe tentative për vrasjen e redaktorit të gazetës.

Dhjetë vjet më vonë, në Paris të Francës, disa sulmues i vranë 12 persona në selinë e revistës “Charlie Hebdo”, e njohur për publikimin e vizatimeve satirike të profetit Muhamed, shkruan “The Guardian”.