Nënë e 3 fëmijëve, kush është gruaja shqiptare që u gjet e vdekur në Francë

  • 29 December 2019 - 09:51
Nënë e 3 fëmijëve, kush është gruaja shqiptare që u gjet e vdekur në Francë

37-vjeçarja Brunilda Kovaçi Sadushi u gjet e pajetë më 25 dhjetor në një pyll larg qendrave të banuara në Mougins të Francës, ndërsa dyshimet sipas mediave franceze, janë se nëna e tre fëmijëve mund të jetë vrarë. “Report Tv” ishte këtë të shtunë pranë familjes së shqiptares, e cila jeton në Berat.

Lajmin e kobshëm e mësuan përmes televizorit dhe në mesin e dhimbjes për humbjen e vajzës së tyre, kanë edhe një apel për shtetin. Familja jeton në kushte të vështira dhe nuk ka mundësi financiare për të sjellë trupin e Brunildës në Shqipëri.

“Po presim çupën të na vijë s’kemi lekë ta marrim ju lutemi shumë na ndihmoni, të keqen. I bëjmë apel shtetit të na vë dorë se jemi fukarenj, të keqen nëna. Duam çupën të na e bini këtu, se po qajmë kemi tërë natën e tërë ditën”, thotë gjyshja e 37-vjeçares. 

Prej vitesh, Brunilda Kovaçi ishte divorcuar nga bashkëshorti, ndërsa shkonte e vinte shpesh në Francë për të punuar. Mediat franceze thonë se ajo shfrytëzohej për prostitucion, por familjarët e saj në Berat nuk dinë asgjë rreth këtij fakti dhe as motiveve përse ajo mund të jetë vrarë.

Sipas nënës, vajza kishte rreth një vit që nuk kishte ardhur në Berat, ndërsa prej vitesh është divorcuar nga bashkëshorti dhe i rrit e vetme fëmijët pa përkrahjen as financiare të babait.

Trupi i Brunilda Kovaçit u gjet pjesërisht i djegur dhe i zhveshur në ditën e Krishtlindjeve, ndërsa detaji që çoi në identifikimin e saj ishte një tatuazh në krah, me emrin e një mashkulli shqiptar. Sipas mediave franceze, një person është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim, ndërsa nuk dihet nëse është një nga klientët e 37-vjeçares, apo tutori i saj.

(Kosova Sot Online)