Akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ky është paralajmërimi për Kosovën

  • 29 December 2019 - 17:00
Akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ky është paralajmërimi për Kosovën

“Sot e kësaj dite habit fakti se si asnjë kryeministër i vendit deri më tani nuk e kushtëzoi dialogun me kompensimin e dëmeve të luftës të shkaktuara nga Serbia në Kosovë,por përveç politikës kuislinge të udhëhequr nga Hashim Thaçi, edhe gjyqësori i kapur kosovar, doli kundër interesave të qytetarëve dhe u vendos në mbrojtje publike të akteve gjenocidiale të Serbisë okupatore, në kundërshtim me të gjitha argumentet, ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e vendit”, thotë analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

 

Analistët politikë po vazhdojnë t’i kritikojnë ashpër institucionet e shtetit të Kosovës, të cilat e kanë lënë krejtësisht në harresë çështjen e dëmeve dhe krimeve të luftës në bisedimet me Serbinë, barrë të cilën i ngarkojnë kryesisht presidentit të tanishëm, Hashim Thaçit i cili është në këtë proces që nga fillimi, fillimisht si kryeministër, dhe tani po e vazhdon të njëjtin mision në pozitën e Presidentit të shtetit.

Image
Gani Qarri

Për këtë temë për “Kosova Sot Online” flet analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Gani Qarri. 

“Fatkeqësisht përkundër faktit se shkatërrimet që Serbia ka shkaktuar gjatë okupimit në Kosovë, ishin enorme dhe llogariten në mbi 22 miliardë euro, pushtetarët e kriminalizuar vendor në krye me kuislingun Hashim Thaçi, duan t`ia falin edhe të gjitha dëmet e luftës Serbisë. Për aq më tepër, politik bërësit e inkriminuar të cilët ende mbajnë të kapur çdo pore të shtetit, shkuan deri atje sa që as ne Gjykatat e Kosovës, deri më tani nuk është lejuar të ngritën qoftë edhe padi private kundër shtetit të Serbisë për demet që ajo si okupatore e vendit tonë, i ka shkaktuar qëllimisht Kosovës me makinerinë e saj shkatërruese gjatë luftës së viteve 98/99”, thotë Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit akoma më skandaloz është fakti që kjo politikë ka ndikuar edhe në sistemin e drejtësisë, që secila padi për dëmet e luftës kundër Serbisë të hidhet poshtë si e pa lejuar. 

“Kjo klasë e kriminalizuar politike u përkujdes që edhe pas dy dekadash, jo vetëm drejtësia kosovare të mos guxojë të ndërmarrë asgjë për paditë e qytetarëve dhe bizneseve kundër Serbisë për dëmet e luftës, por edhe vetë KGJK, tu jap urdhër gjykatave në formë të ashtuquajtur të “këshillës vepruese” që të gjitha paditë kundër Serbisë nëpër gjykatat e Kosovës , “Të hidhen poshtë si të palejuara”. Kështu që drejtësia e kapur kosovare dhe e dirigjuar drejtpërsëdrejti nga politika e inkriminuar, ka refuzuar ta adresoje çdo çështje të kompensimit të dëmeve të shumta që iu bënë qytetarëve dhe bizneseve,përfshirë edhe shtypshkronjën dhe gazetën “Kosova Sot”, nga regjimi okupator dhe gjenocidial serb”, thekson Qarri për “Kosova Sot Online”.

Për aq më keq, sipas Qarrit  kjo ndodhi jo me një, por me të gjitha paditë që u ngritën në Gjykatë.

“Duke i mbajtur kështu hapur krahun Serbisë fashiste që na dogji, na vrau e shkatërroi në masë, të cilës Serbi, presidenti Hashim Thaçi & Co po insiston t`ia falë edhe 1/3 e territorit të Kosovës dhe këtë të kompletuar në paketë bashkë me të gjitha dëmet e luftës”.

Jo vetëm Hashim Thaçi, por sipas Qarrit përgjegjës për këtë dështim janë të gjitha mandatet qeverisëse deri më tani. 

“Sot e kësaj dite habit fakti se si asnjë kryeministër i vendit deri më tani nuk e kushtëzoi dialogun me kompensimin e dëmeve të luftës të shkaktuara nga Serbia në Kosovë,por përveç politikës kuislinge të udhëhequr nga Hashim Thaçi, edhe gjyqësori i kapur kosovar, doli kundër interesave të qytetarëve dhe u vendos në mbrojtje publike të akteve gjenocidiale të Serbisë okupatore, në kundërshtim me të gjitha argumentet, ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e vendit. Kjo dëshmon edhe një herë më tepër se pushtetarët e shitur dhe të shantazhuar kosovare,edhe dëmet e luftës ia kanë “falur” Serbisë, pasi që ata për vete janë bërë miliarderë në kurriz të popullit, ndërkaq as që kërkojnë nga Serbia si shtet okupator e gjenocidial, të paguaj për dëmet që ajo me agresionin e paprecedent dhe okupimin klasik të vendit tonë,qëllimisht dhe me plane e projekte gjenocidiale shtetërore, u ka shkaktuar qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë”, përfundon analisti Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)