“Goditja” nga amerikanët ndaj Kosovës, kërkohet urgjentisht Vetting-u

  • 30 December 2019 - 07:31
“Goditja” nga amerikanët ndaj Kosovës, kërkohet urgjentisht Vetting-u

“Vetë përbërja e KPK-së dhe e KGJK-së tregon kapjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Kjo formë e punës tregon se ky sistem pa një VETTING të përgjithshëm dhe në të gjitha nivelet nuk mundet kurrë të shërohet dhe të fiton ligji. Mos transparenca tregon edhe një herë se cila është gjendja në KPK, se kush mundet të futet në prokurori, si dhe kush mundë të zgjidhet prokuror”, thotë profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Pas zgjedhjes së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale dhe kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka reaguar Ambasada e SHBA-së në Kosovë ku thotë se është zhgënjyes që Këshilli Prokurorial i Kosovës dështoi ta ndiqte rregulloren e vet për zgjedhjen e shefave për Zyrën e Prokurorisë Speciale dhe Zyrës në Prishtinë.

Ky reagim vjen pas zgjedhjes së Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale, dhe Kujtim Munishit Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi e ka mbështetur reagimin e ambasadës amerikane në Prishtinë ndaj procesit të parregullt të emërimeve të fundit në Prokurorinë Speciale dhe atë komunale të Prishtinës, emërime ndaj të cilave po për parregullsi dhe ndikim të politikës kanë reaguar edhe OJQ-të, Instituti i Kosovës për drejtësi dhe Grupi për Studime Juridike e Politike.

Prandaj, bazuar në vazhdimin e kësaj traditë të kapjes së sistemit nga krimo politika, profesori Kelmendi kërkon që urgjentisht me stabilizimin e institucioneve të reja, të fillojë hartimi dhe miratimi i ligjit Vetting për pastrimin e sistemit të drejtësisë nga krimi dhe të gjitha lidhjet me politikën.

Image
Muhamet Kelmendi

“Vetë përbërja e KPK-së dhe e KGJK-së tregon kapjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Kjo formë e punës tregon se ky sistem pa një VETTING të përgjithshëm dhe në të gjitha nivelet nuk mundet kurrë të shërohet dhe të fiton ligji. Mos transparenca tregon edhe një herë se cila është gjendja në KPK, se kush mundet të futet në prokurori, si dhe kush mundë të zgjidhet prokuror. Zgjedhja e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale në formën e tillë të rritjes së poenëve dhe pa një konkurrencë kualitative tregon kapje të saj. Kështu u veprua edhe në Prokurorin e Prokurorisë Themelore”, thotë profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit, këto dy raste të fundit flasin shumë për nivelin e kapjes së drejtësisë nga politika, prandaj çdo vonesë në bërjen e ligjit Vetting për ta pastruar atë, është humbje akoma më e madhe e kohës, dhe thellim i krimit në drejtësi, për çka po kundërshtojnë edhe amerikanët.

“Këtë anë e kundërshtuan dhe e kritikuan shumë ambasada. Ajo e SHBA-së ishte plotësisht kundër. Kundër ishin edhe ambasadat e tjera. Por, këtij tillë tregon, se prokuroria jo tash por shumë herët është e kapur. Këtë e dokumenton Prokuroria e Shtetit që ishte në teh të akuzave dhe nuk u pushua nga puna askush. Pra, vetëm VETTING-u e spastron këtë sistem të dëmshëm juridik dhe tejet anti ligjor”, përfundon profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)