Zbulohet plani i Albin Kurtit: Kjo është arsyeja pse i refuzoi ftesat e Thaçit

  • 30 December 2019 - 07:37
Zbulohet plani i Albin Kurtit: Kjo është arsyeja pse i refuzoi ftesat e Thaçit

“Refuzimi i ftesës dhe hezitimi i mëtutjeshëm i Albin Kurtit për t'u takuar me presidentin Thaçi që të mandatohet ligjërisht kryeministër, do ta zvogëlojnë akoma më tepër mundësinë që ai të merr timonin e qeverisë. Albin Kurti nuk guxon ta harrojë një gjë, se vendi e ka një Kushtetutë dhe ligjet që burojnë preja saj, para të cilave duhet të nënshtrohet para se të bëhet kryeministër i qeverisë së re”, thotë analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar gjatë ditës së premte dy ftesa kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurtit për takim, por të dy këto ftesa i ka refuzuar Kurti.

Sado që Kurti është arsyetuar me mos përgjigje në ftesat e Hashim Thaçit, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Florim Zeqa konsideron seKurti i ka refuzuar këto dy ftesa të Thaçit për të blerë kohë, që ta merr një mbështetje akoma më të fuqishme ndërkombëtare për krijimin e Qeverisë së re, dhe të gjendet formula e kompromisit në mes të LVV-së dhe LDK-së për çështjet e hapura.

Image
Florim Zeqa

“Pas seancës konstituive të Kuvendit, gjegjësisht zgjedhjes së papritur të Glauk Konjufcës kryeparlamentar, vërtetë po ndodhin veprime të çuditshme dhe të papritura të Albin Kurtit. Ftesat e presidentit, njëra e arsyeshme, tjetra e panevojshme dhe qesharake, ftesa këto që Albin Kurti i ka refuzuar, flasim mjaftë qartë për pozicionin e vështirë në të cilin ndodhet Albin Kurti. Arsyet e refuzimit të ftesave të presidentit nga ana e Albin Kurtit konsistojnë me blerjen në kohë dhe përfitimin e mbështetjes ndërkombëtare për krijimin e qeverisë së re. Ngase, pas seancës konstituive dhe zgjedhjes pa marrëveshje politike të kryeparlamentarit, Albin Kurtit i janë kufizuar mundësitë e zgjedhjes kryeministër. I duhet patjetër koordinim me ndërkombëtarët ose lëshim pe para kërkesave të LDK-së për postin e presidentit, për shkak të "vijave të kuqe" me partitë e PAN-it. Pra, Albin Kurti duhet të zgjedhë mes "kamxhikut" ndërkombëtar dhe "dashurisë" me Isa Musftaën, ngase alternativë tjetër nuk ka”, thotë analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sidoqoftë, sipas Zeqës, përderisa "kamxhiku" ndërkombëtar do ta kthejë Albin Kurtin në një lider servil dhe qesharak para qytetarëve të vendit, dashuria e zorit me Isa Mustafën do ta degradojë akoma më keq imazhin e tij, prandaj në këtë rast, vetëm zgjedhjet e jashtëzakonshme mund ta nxjerrin vendin nga kriza e thellë dhe e pambarim.

“Refuzimi i ftesës dhe hezitimi i mëtutjeshëm i Albin Kurtit për t'u takuar me presidentin Thaçi që të mandatohet ligjërisht kryeministër, do ta zvogëlojnë akoma më tepër mundësinë që ai të merr timonin e qeverisë. Albin Kurti nuk guxon ta harrojë një gjë, se vendi e ka një Kushtetutë dhe ligjet që burojnë preja saj, para të cilave duhet të nënshtrohet para se të bëhet kryeministër i qeverisë së re. Pra, tani Albin Kurti nëse dëshiron të bëhet kryeministër duhet të respektoj Kushtetutën e vendit, afatet kohore dhe ligjet që burojnë prej saj”, deklaron Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)