Ftesa që rrokullisi skenën politike kosovare

  • 30 December 2019 - 12:04
Ftesa që rrokullisi skenën politike kosovare

Më 19 korrik të vitit që po e lëmë pas në Kosovë erdhi nga Haga e Holandës ftesa e parë e Gjykatës Speciale, e cila cak kishte kreun e qeverisë në detyrë Ramush Haradinajn, i cili gjatë luftës me Serbinë shërbeu si komandanti i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Haradinaj pas kësaj ftese dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit dhe që nga ajo ditë Kosova vazhdon të mos ketë qeveri e institucione funksionale.

Në njërën nga ditët më të nxehta të korrikut, më datën 19, kreu i qeverisë në detyrë Ramush Haradinaj me emocione të thella e me lot në sy dha lajmin se kishte pranuar ftesën për intervistim si i “Dyshuar për krime lufte” nga Prokuroria Speciale e Hagës. Për shkak të kësaj ftese ai njoftoi se do të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Qeverisë për ta lënë kështu Kosovën pa institucione funksionale për disa muaj radhazi.

“Pas kësaj dorëheqjeje mandatin ia kthej popullit. Ju jeni të parët që po ju informoj. Qeveria e vendit do të vazhdojë t’i kryejë funksionet e veta pa krijuar vakuum, do t’i informoj zyrtarisht të gjitha institucionet relevante, do t’i mbes gjithnjë besnik atdheut, ishte nder t’i shërbej vendit. Dorëheqja është e parevokueshme”, ka thënë ai.

Ai dorëheqjen e tij e arsyetoi me faktin se nuk dëshiron të intervistohet nga një organ i drejtësisë përderisa mban pozitën e kryetarit të Qeverisë së Kosovës. “Përgjegjësia tani kalon te presidenti për t’i filluar konsultat që ta caktojë datën e zgjedhjeve. I ofrohem prapë popullit për ta marrë besimin. Nuk jam i akuzuar, por do të intervistohem. Garoj në zgjedhje edhe unë, edhe subjekti im. Por s’kam mundur ta dërgoj shtetin dhe kryetarin e Qeverisë në Hagë, sepse do t’ia rëndoja Kosovës pozitën, andaj kam marrë këtë vendim. S’e kam zgjedhur këtë realitet. Nuk mendoj se e meriton t’ia bëj këtë Kosovës dhe nuk e bëj”, u shpreh Haradinaj me lot në sy.

(Kosova Sot Online)