Një muaj paraburgim për burrin nga Prizreni që ushtroi dhunë ndaj gruas së tij

  • 30 December 2019 - 13:31
Një muaj paraburgim për burrin nga Prizreni që ushtroi dhunë ndaj gruas së tij

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, ndaj të pandehurit me iniciale A.Z. nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “dhuna në familje”.

Sipas gjykatës, ekziston baza ligjore për caktimin e paraburgimit duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrat dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale ku i pandehuri me iniciale A.Z me veprimet e tij i ka shkaktuar dhunë fizike dhe psikike anëtarëve të familjes së tij, respektivisht bashkëshortes së tij /të dëmtuarës me iniciale M.T. për një kohë të gjatë.

Në komunikatën e dërguar nga kjo gjykatë thuhet se “kjo nuk është hera e parë që i pandehuri krijon probleme të tilla dhe se ky rast ka ndodhur pas kthimit të bashkëshortes së tij në shtëpi pas një problemi paraprak”.

Duke marrë parasysh se kjo vepër është kryer në shtëpinë e tyre të përbashkët dhe se në këto momente raportet e tyre janë të acaruara, Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës ndaj të njëjtit është i bazuar dhe i arsyeshëm për sigurimin e prezencës dhe zhvillimin normal të rrjedhës së procedurës penale.

Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit 27.12.2019 dhe do të zgjasë deri më datën 27.01.2020.

(Kosova Sot Online)