Kryeministrit italian i ikin tre deputetë, i bashkohen partisë së Salvinit

  • 30 December 2019 - 14:07
Kryeministrit italian i ikin tre deputetë, i bashkohen partisë së Salvinit

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka bërë thirrje për unitet brenda koalicionit qeverisës pas disa ditëve të vështira, me ç’rast tre deputetë të lëvizjes “Pesë Yjet” kaluan në partinë e së djathtës ekstreme “Lidhja” dhe ministri i arsimit dha dorëheqje.

Tashmë ish-ministri i arsimit, Lorenzo Fioramonti, dha dorëheqje javën e kaluar pasi qeveria e miratoi buxhetin e vitit 2020 pa rritje të shpenzimeve në dikasterin që e udhëhiqte ai. Ky politikan ka paralajmëruar se do ta formojë një grup të ri parlamentar, të përbërë nga politikanët e zhgënjyer të lëvizjes “Pesë Yjet”. 

Gjatë një fjalimi, kryeministri Conte njoftoi se do ta ndajë Ministrinë e Arsimit në dy pjesë, duke e emëruar Lucia Azzoliona-n ministre për shkolla, ndërsa Gaetano Manfredi-n ministër për universitete dhe hulumtime.

“Politika nuk ka nevojë për konflikte. Polemikat dhe theksimi i dallimeve tona nuk na ndihmojnë”, tha mes tjerash shefi i qeverisë italiane.

Duket se motivi kryesor i partive të koalicionit qeveritar për të qëndruar së bashku është kërcënimi i vazhdueshëm nga fitorja e mundshme e Salvinit. Sipas sondazheve, partia e së djathtës ekstreme, “Lidhja”, mbetet partia më e madhja në Itali me rreth 32 për qind të përkrahjes nga votuesit, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)