Del në shitje dyqani më i vjetër i sheqerkave, pronari synon të bëhet shef policie

  • 30 December 2019 - 15:48
Del në shitje dyqani më i vjetër i sheqerkave, pronari synon të bëhet shef policie

Dyqani më i vjetër në botë i sheqerkave, i cili ndodhet në rajonin North Yorkshire të Anglisë, është vënë në shitje, sepse pronari i tij e ka nisur fushatën për t’u zgjedhur kryekomisiner i policisë në këtë rajon.

Dyqani “Patley Bridge”, i themeluar në vitin 1827, është udhëhequr nga hetuesi i dikurshëm, Keith Tordoff, për më shumë se njëzet vjet.

Megjithatë, ish-zyrtari policor tashmë po synon të heqë dorë nga dyqani i vjetër dhe t’i futet garës për një pozitë të lartë publike në sektorin e sigurisë.

Pavarësisht që policia dhe armët kanë dallim shumë të madh me kavanozat me sheqerka, të cilat kanë kaluar nëpër duart e Keith-it, ai beson se mund të jetë i suksesshëm në udhëheqjen e shërbimeve emergjente.

“Kam dëshmuar se i kam arritur me sukses gjërat që ia kam caktuar vetes si synime. Kam njohuri të dorës së parë për policinë dhe menaxhimin e organizatave të suksesshme dhe këto janë saktësisht shkathtësitë që kërkohen në këtë rast”, tha ai.

Ish-hetuesi policor do të kuptojë nëse do ta arrijë me sukses qëllimin e tij të ri në maj të vitit të ardhshëm, kur mbahen zgjedhjet lokale për komisionerë. Në këtë garë, ai do të marrë pjesë si kandidat i pavarur, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)