Haziri dënon aktin e therrjes me thikë të qytetarit serb

  • 31 December 2019 - 12:11
Haziri dënon aktin e therrjes me thikë të qytetarit serb

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka dënuar aktin e therrjes me thikë të qytetarit serb nga fshati Cernicë nga i dyshuari mashkull K-Shqiptar me probleme psikike.

Haziri në emër të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi e ka dënuar këtë akt dhe e ka quajtur të izoluar.

“Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, në emër të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, e ka dënuar këtë akt i cili është rast i izoluar dhe nuk e prish në asnjë mënyrë bashkëjetesen e tolerancën ndëretnike”, thuhet në reagim

Kryetari i Gjilanit ka deleguar nënkryetarin e kësaj komune për të vizituar familjen e viktimës.

“Haziri e ka deleguar nënkryetarin e Komunës, Arbër Ismajli me ekipin e tij, të cilët e kanë vizituar sot familjen e viktimës, duke thënë se Komuna do t’i qëndrojë afër kësaj familje.Ndryshe, Komuna e Gjilanit është vlerësuar si shembulli i mirë i tolerances, bashkëjetesës dhe kultivimit të dialogut ndërfetar e ndëretnik, në Këshillin e Sigurimit të OKB’së”.

Këtë rast e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Në raportin 24-orësh Policia njofton se i dyshuari mashkull K-Shqiptar(me probleme psikike) për arsye të panjohura ka goditur me një mjetë të mprehtë viktimën mashkull K-Serb.

Viktima është dërguar në QKUK dhe sipas mjekut, është jashtë rrezikut për jetë. I dyshuari fillimisht ndodhej në arrati, por pas perpjekjeve policore më vonë është arrestuar dhe në konsultim me prokurorin ndalohet për procedura të mëtejme.

(Kosova Sot Online)