Thaçi: Takohem me liderë serbë që nga 1999, kjo nuk është fshehtësi

  • 31 December 2019 - 13:19
Thaçi: Takohem me liderë serbë që nga 1999, kjo nuk është fshehtësi

Presidenti Hashim Thaçi në adresimin e fundvitit ka folur për refuzimin e tij që të marrë pjesë në takimet për minishengenin. Ndërkaq thotë se ai dhe liderë të tjerë të Kosovës janë takuar me zyrtarë të serbë, por me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Thaçi thotë se ka marrë dy ftesa për të shkuar në Durrës, aty ku është mbajtur takimi i liderëve të Maqedonisë Veriore, Shqipërisë dhe Serbisë për minishengen, por ai thotë se nuk mund të merrte pjesë në një takim, përderisa Kosova nuk u ftua në takimin që është mbajtur për këtë nismë në Novi Sad të Serbisë.

 

“Dy ftesa i kam refuzuar, megjithëse ftesat kanë qenë si president i Republikës së Kosovës. Një nga arsyet pse nuk kam marrë pjesë është sepse nuk mund të marrim pjesë kur takimet mbahen në një vend, e të mos marrim pjesë kur ai mbahet në një vend tjetër”, ka thënë Thaçi.

Ai ka komentuar kritikat që ka marrë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për mikpritjen që ia bëri presidentit të Serbisë Aleksandër Vuciq.

“Është e vërtetë që takimet e liderëve të Kosovës dhe të miat me liderë serbë kanë qenë më të shpeshtë. Takimet tona kanë qenë të nivelit bilateral, me ndërmjetësim të BE’së dhe SHBA’së. Unë me liderët e Serbisë takohem që nga vitit 1999. Kjo është transparente dhe kjo nuk është fshehtësi. Dhe, kushdo që vjen në pushtet, duhet të takohet…”, ka thënë Thaçi.

(Kosova Sot Online)