Macron s’tërhiqet nga reforma pensionale, akuzohet për arrogancë

  • 01 January 2020 - 16:14
Macron s’tërhiqet nga reforma pensionale, akuzohet për arrogancë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është cilësuar nga analistët si arrogant, i vetëkënaqur dhe i shkëputur nga realiteti pasi gjatë fjalimit për Vitin e Ri u zotua se do t’i çojë përpara ndryshimet kundërthënëse në sistemin pensional, pavarësisht protestave dhe grevave masive të punëtorëve të sektorit publik.

Gjatë fjalimit të fundvitit, kreu i shtetit francez kërkoi nga qeveria e tij që të gjejë një kompromis të shpejtë për t’iu dhënë fund protestave të gjata të punëtorëve të hekurudhave dhe tha se reforma pensionale do të realizohet. 

“Këto nuk janë dëshira, por shpallje e luftës kundër miliona francezëve që i kundërshtojnë reformat e tij”, tha Jean-Luc Melenchon, kryetar i partisë së të majtës ekstreme, “France Insoumise”.

Presidenti deri tash nuk ishte përfshirë në debatin për reformën pensionale, duke ia lënë tërë barrën e pakënaqësive kryeministrit Edouard Philippe.

Sipas anketave, shumica e francezëve i përkrahin ndryshimet në sistemin pensional, por jo reformën e propozuar nga qeveria.

Presidenti francez muaj më parë është përballur edhe me protesta të tjera pas vendimit për rritjen e çmimit të naftës. Megjithatë, duket se ai nuk e ka ndërmend të dorëzohet para kërkesave të protestuesve, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)