Paralajmërohet furtuna e Gjykatës Speciale, skenari: Ja kush shpëton prej saj

  • 02 January 2020 - 07:30
Paralajmërohet furtuna e Gjykatës Speciale, skenari: Ja kush shpëton prej saj

“Sikurse Gjykatës së Hagës, edhe Gjykatës Speciale do t'i shpëtojnë “peshqit e mëdhenj” të politikës të përmendur në raportin e Dick Marty-t. Ata s’do të trajtohen fare nga gjykata në fjalë si rezultat i pazareve dhjeta e qindra milionëshe. Nga numri i madh i intervistimeve do të bëhen seleksionime dhe pazare politike, në mënyrë që dikush të akuzohet dhe dikush të shpëtojë, në këmbim të dhjeta e qindra milionave”, thotë analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Duke analizuar ecurinë e deritanishme të procesit të intervistimit të shumë figurave të larta nga zinxhiri komandues i UÇK-së, nga niveli më i ulët e deri te kupola drejtuese, analistët politikë presin që viti 2020 do të jetë vit i fillimit të gjuetisë së Gjykatës Speciale në Kosovë, e cila do ta tronditë skenën politike, edhe ashtu të çorientuar nga krimi dhe korrupsioni.

Për këtë sfidë serioze që e pret shtetin e Kosovës, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Florim Zeqa.

Image
Florim Zeqa

Analisti Zeqa nuk e përjashton as mundësinë tentativës që disa nga bosët e krimit të organizuar që do të preken nga kjo Gjykatë, të provojnë ta blejnë atë, sikur që kanë vepruar në raste të ndryshme me gjykatat e rregullta të Kosovës.

“Pas qindra intervistimeve në pjesën e dytë të vitit 2019, e 2020-ta do të jetë vit i gjuetisë së Gjykatës Speciale në Kosovë, e cila do ta tronditë skenën politike në Kosovë edhe ashtu të çorientuar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni endemik. Pasojat e Gjykatës Speciale do të jenë shumëdimensionale, përveçse do të bie imazhi ashtu kështu i dëmtuar rëndë i Kosovës edhe më poshtë, ka rrezik që edhe gjyqtarët dhe prokurorët e Gjykatës Speciale të “blihen” nga mafio-oligarkët dhe nëntoka kosovare e lidhur me politikan të nivelit të larte në Kosovë. Veç kësaj, efektet e Gjykatës Speciale do të bartën dhe ndikojnë në dialogun Kosovë-Serbi”, thotë analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Zeqa është i sigurt që në Speciale nuk do të shkojnë dhe ndëshkohen kupolat e krimit të lartë të organizuar, sikur që nuk u ndëshkuan as nga Gjykata e Hagës.

“Sikurse Gjykatës së Hagës, edhe Gjykatës Speciale do t'i shpëtojnë “peshqit e mëdhenj” të politikës të përmendur në raportin e Dick Marty-t. Ata s’do të trajtohen fare nga gjykata në fjalë si rezultat i pazareve dhjeta e qindra milionëshe. Nga numri i madh i intervistimeve do të bëhen seleksionime dhe pazare politike, në mënyrë që dikush të akuzohet dhe dikush të shpëtojë, në këmbim të dhjeta e qindra milionave. Ashtu siç e kam thënë edhe më parë, Gjykata Speciale nuk do të trajtojë “vrasjet politike” ndërmjet shqiptarëve pas luftës në Kosovë, sikurse që nuk do të trajtoj krimin e organizuar para dhe gjatë luftës, përfshirë edhe vjedhjet dhe keqpërdorimet masive të fondeve të luftës, vendlindja thërret dhe fondi 3%”, shton Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, pjesë e hetimeve nuk do të jenë as mafio-oligarkët tanimë edhe “miliarderë” që u prodhuan pas luftës në Kosovë, dhe të cilët vodhën dhe keqpërdoruan me krimin e organizuar të nëntokës, si dhe kontrolluan dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë në çdo segment të institucioneve në Kosovë, në të dyja nivelet.

“Kjo Gjykatë do të përdoret vetëm si balancë politike për krimet e luftës që Serbia i ka kryer në Kosovë, dhe nuk do të prodhon drejtësi të vërtetë dhe të pa varur, e profesionale, sikur që po interpretohet dhe është thënë deri më tani. Gjykata e njëanshme politike, e ashtuquajtur "Speciale", qëllimin final nuk e ka ndëshkimin e krimeve të luftës dhe pas luftës në Kosovë, por e ka nivelizimin e krimeve gjenocidiale të shtetit serb ndaj shqiptarëve të pambrojtur me ndonjë krim të mundshëm individual të ndonjë pjesëtari të UÇK-së, sa për të justifikuar terrorin e paparë të Serbisë fashiste në Kosovë. Në realizimin e këtij objektivi, Serbinë e kanë ndihmuar shumë politikanët e papërgjegjshëm kosovarë në majat e shtetit, qeveritarë dhe kuvendar që e votuan në Kuvendin e Kosovës themelimin e një gjykate të tillë, çmimin e së cilës do ta paguajmë (padrejtësisht) të gjithë së bashku”, përfundon analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)