“Zhvillime dramatike të paparashikuara në Kosovë”, ky është paralajmërimi për vitin 2020

  • 02 January 2020 - 14:54
“Zhvillime dramatike të paparashikuara në Kosovë”, ky është paralajmërimi për vitin 2020

”Gjykata Speciale në Kosovë dhe në Hagë do të fillojw implementimin e ligjit për pastrimin e Kosovës nga mafio-oligarkët dhe peshqit e mëdhenj. Gjykata Speciale në Kosovë nuk do të jetë e vetmja që do të merret me luftimin e korrupsionit, por në këtë do të hyj edhe Gjykata Speciale, dega e saj në Hagë për Kosovën”, thotë analisti politik, Dardan Grapci për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Dardan Grapci, duke analizuar të gjitha zhvillimet që e përcollën Kosovën vitin 2019, dhe vazhdimin e tyre në proces për vitin 2020, konsideron se ky vit do të jetë një nga vitet me zhvillimet më të bujshme, madje dramatike e të pa parashikueshme për shumë kë që merret me politikën.

Tërmet të fuqishëm politik, Grapci konsideron se do të sjellë veprimi i Gjykatës Speciale dhe fillimi i arrestimeve të para, derisa beson se po ashtu ky vit do të jetë edhe një tjetër vit zgjedhor, pasi që me situatën e krijuar me mosmarrëveshjet mes LVV-së dhe LDK-së, vendi përsëri do të shkojë në zgjedhje të reja.

Image
Dardan Grapci

“Së pari le të shpresojmë që viti 2020 të na vjen me këmbë të bardhë, siç thotë populli, e dyta viti 2020 do të jetë më ndryshe se sa viti 2019 në aspektin politik dhe ligjor, dhe un theksoj se janë disa arsye pse do jetë viti 2020 pak më ndryshe. Gjykata Speciale në Kosovë dhe në Hagë do të filloj implementimin e ligjit për pastrimin e Kosovës nga mafio-oligarkët dhe peshqit e mëdhenj. Gjykata Speciale në Kosovë nuk do të jetë e vetmja që do të merret me luftimin e korrupsionit, por në këtë do të hyj edhe Gjykata Speciale, dega e saj në Hagë për Kosovën, kështu që edhe raporti i Dick Martyt do të përfundoj me sukses në Gjykatën Speciale për Kosovën duke trajtuar së bashku krimet e luftës dhe nivelin e lartë të krimit të organizuar, pa I amnistuar edhe fondet e luftës, fondin “vendlindja Thërret’ dhe atë 3%” thotë analisti politik, Grapci duke folur për “Kosova Sot Online”.

Veç kësaj sipas Grapcit, kosovarët duhet të përgatiten që në tremujorin e parë të këtij viti të dalin rishtas para kutive të votimit për institucionet e reja, sepse nga zgjedhjet e 6 tetorit nuk do të ketë krijim të institucioneve. 

“Qeveria e re nuk do të krijohet me këtë formacion të tanishëm të forcave politike, kështu që qytetarët duhet të bëhen gati edhe njëherë për të dalë para kutive të votimit kurse KQZ-ja të jetë e gatshme që më së largu në 6 mujorin e parë të vitit 2020, varësisht si do të merren vesh partitë politike dhe të jetë vendimi I Presidentit, të mbahen edhe njëherë zgjedhjet e parakohshme, pasi të jetë qartësuar mirë edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës”, shton Grapci për “Kosova Sot Online”.

Sipas Grapcit, kriza në të cilën po e futë politika vendin, do të mundë të prodhojë akoma më shumë pakënaqësi te qytetarët, kështu që fillimi i marsit mundë të sjell edhe tendenca të reja të qytetarëve për ikje masive jashtë vendit, gjë që do të jetë sfidë serioze për ballafaqim me qeverinë e re.

“Institucionet e Kosovës në vitin 2020 do ta kenë edhe një problem shtesë, e ajo është ikja masive e të rinjve nga Kosova për shkak të situatës që po e krijon vetë kjo politikë destruktive. Sipas raportimeve të fundit nga statistikat zyrtare, në vitin 2015-2018 nga Kosova janë larguar mbi 60 mijë qytetar, por viti 2020 do jetë vit akoma më alarmues për shkak të kësaj krize dhe duke filluar muaji i 3-të nga Marsi i vitit 2020, është e pritshme që nga Kosova do të fillojnë të largohen akoma më shumë qytetar të moshës së re, dhe kjo ikje do të vazhdon të jetë në kontinuitet gjatë gjithë vitit, deri në vjeshtën e vonshme, në fund të muajit shtator dhe tetorit të të njëjtit vit 2020”, përfundon Grapci për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)