Dëmet e luftës, vjen denoncimi i rëndë: Ja përgjegjësit kryesor që po e mbrojnë Serbinë në Kosovë

  • 02 January 2020 - 19:24
Dëmet e luftës, vjen denoncimi i rëndë: Ja përgjegjësit kryesor që po e mbrojnë Serbinë në Kosovë

”Kjo përgjegjësi i takon në radhë të parë Qeverisë por edhe Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Prokurorisë së Shtetit dhe Avokatit të Popullit! Presidenti në kohë të fundit disa herë e ka theksuar synimin për të ndërmarr masa të tilla nëpërmjet aktakuzave penale e aktpadive civile”, thotë profesor Smaka për “Kosova Sot Online”.

Një nga dështimet e mëdha me të cilat identifikohet politika e Kosovës, në të gjitha qeverisjeve të deritanishme, e që mbeti peng i pa zgjidhur edhe në vitin 2019, dhe në pritje të vitit 2020, sipas ekspertëve të së drejtës, mbetet çështja e dëmeve dhe krimeve të luftës në raport me shtetin e Serbisë.

Edhe pse dëmet e luftës që Serbia ka shkaktuar në Kosovë llogariten mbi 22 miliardë euro, pushtetarët e të gjitha mandateve, por sidomos këta të pas shpalljes së pavarësisë, në krye me Hashim Thaçin, sikur po duan t`ia falin Serbisë edhe dëmet e luftës.

Kështu thotë për “Kosova Sot Online”, profesori i njohur i së drejtës, Riza Smaka.

Sipas Smakës, është e pa justifikueshme dhe e pa falshme se si u përkujdes kjo klasë politike e pas luftës, që edhe pas dy dekadash të mos lejojë, madje që as drejtësia kosovare të mos ndërmerr asgjë për paditë e qytetarëve dhe bizneseve kundër Serbisë për dëmet e luftës.

Për më tepër, drejtësia kosovare e dirigjuar nga politika e inkriminuar, ka refuzuar ta adresoj çështjen e kompensimit të dëmeve të shumta që iu bënë qytetarëve dhe bizneseve, përfshirë edhe shtypshkronjën dhe gazetën “Kosova Sot”, nga regjimi gjenocidial serb, por edhe të gjithë të tjerëve që ngritën padi në Gjykatë, duke ia mbajtur kështu krahun Serbisë fashiste që na dogji dhe na vrau e shkatërroi në masë.

Të cilës Serbi, sipas analistëve presidenti Hashim Thaçi & Co po insiston t`ia falë edhe 1/3 e territorit të Kosovës, por në paketë bashkë edhe me dëmet e luftës.

Image
Riza Smaka

"Institucionet e Kosovës, në radhë të parë Qeveria e Kosovës, mjerisht dhe çuditërisht gjithnjë tregohet indolente, indiferente referuar borxheve enorme materiale, personale e morale të shtetit serb karshi shtetit të Kosovës, përkatësisht qindra mia qytetarëve të vendit tonë! Shteti serb veçanërisht gjatë periudhës 1997-90, duke aplikuar politika hegjemoniste antishqiptare ekskluzivisht ka ushtruar forma me bizare të gjenocidit dhe të krimeve të luftës kundër qindra mia qytetareve civil të pa armatosur, të të gjitha moshave e gjinive, nëpërmjet vrasjeve, plagosjeve, maltretimeve fizike e morale, djegieve, plaçkitjeve madje edhe dëbimeve masive të afër një milion sish! Cila do qeveri e shtetit të dëmtuar, madje edhe në masë shumë më të ultë do të reagonte energjikisht dhe devotshëm kundër shtetit dëmtues me kërkesa ultimative për rimbursime të dëmeve materiale, personale e morale”, thotë profesor, Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

Sipas funksioneve kushtetuese, profesor Smaka deklaron se përgjegjësia iu takon të gjithë krerëve të shtetit së bashku, por fillon nga ekzekutivi.

“Kjo përgjegjësi i takon në radhë të parë Qeverisë por edhe Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Prokurorisë së Shtetit dhe Avokatit të Popullit! Presidenti në kohë të fundit disa herë e ka theksuar synimin për të ndërmarr masa të tilla nëpërmjet aktakuzave penale e aktpadive civile. Theksimet e tilla janë të qëlluara edhe pse të vonuara. Mirëpo është çasti i fundit që zotimet verbale të sendërtohen konkretisht, seriozisht dhe me përkushtim përfundimtar”, thotë Smaka për “Kosova Sot Online”.

Ai rikujton kohën kur ishte vetë deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e tretë, dhe e kishte iniciuar pikërisht këtë temë, mirëpo institucionet e asaj kohe dhe të mëvonshme, asnjëherë nuk e kanë marr në seriozitet dhe prioritet trajtimin e saj.

“Unë kur isha deputet në vitin 2009 e kam pas ngritur po këtë çështje disa herë por mjerisht për shkak të inkompetancave të institucioneve publike në fjalë deri sot në këtë temë tejet të rëndësishme nuk është ndërmarrë asgjë”, përfundon Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)