Ndizet alarmi i kuq për Kosovën: Shteti i ngulfatur nga krimi i organizuar dhe haraçi

  • 03 January 2020 - 07:52
Ndizet alarmi i kuq për Kosovën: Shteti i ngulfatur nga krimi i organizuar dhe haraçi

“Edhe pse çdo gjë po ndodh para syve të të gjithëve, po heshtin gjykatat, prokuroria speciale dhe prokuroritë lokale në mbarë Kosovën. Haraç-kërkuesit në vend që të ndëshkohen nga drejtësia vendore, po avancohen në poste të larta shtetërore dhe poste diplomatike jashtë Kosove në shtetet euro-perëndimore”, thotë analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Shteti i ri dhe i pa zhvilluar i Kosovës, edhe pas dy dekada në liri dhe 12 vjet në pavarësi të plotë, sipas analistëve politikë e mbylli edhe vitin 2019 me një ngecje të madhe të radhës në zhvillim me një tkurrje ekonomike, me papunësi rekord dhe mungesë të investimeve të huaja, që në situatën në të cilën gjendet vendi, janë infuzion i mirë dhe mundësi për ta angazhuar në punë fuqinë e re që dita ditës i shtohet tregut të punës.

Kështu vlerëson për “Kosova Sot Online”, analisti politik, Florim Zeqa.

Për fat të keq, sipas Zeqës politika e pa përgjegjshme dhe skajshëm e inkriminuar, po i bllokon edhe investimet e huaja, pasi që shteti është i kapur pikërisht nga pushtetarët dhe nëntoka kriminale, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal.

Image
Florim Zeqa

“Në rrethana normale do të mjaftonin 5 vite pas përfundimit të luftës, për rimëkëmbje ekonomike dhe paqe sociale në vendin tonë. Mirëpo, edhe pse kaluan dy dekada nga përfundimi i luftës, shtetit të Kosovës i mungon perspektiva zhvillimore, arsimi cilësorë, shëndetësia dhe kultura qeverisëse. Si pasojë e ngufatjes së sistemit të drejtësisë nga politika, bartësit e institucioneve vjedhin në baza ditore buxhetin e shtetit dhe s'ka kush t'i dënojë! Në anën tjetër qytetarët me bizneset e tyre kanë mbetur të pambrojtur në mes kusarëve politikë dhe hajnave ordinerë! Kosova e mbylli vitin 2019 me tkurrje ekonomike, me papunësi rekord dhe mungesë të investimeve te huaja. Investimet po bllokohen pikërisht nga pushtetarët dhe nëntoka kriminale, si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal, duke kërkuar ryshfet nga investitorët”, thotë analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Madje sipas Zeqës, korrupsion dhe krimi i organizuar tashmë janë bërë pjesë e përditshmërisë kosovare, dhe askush nuk merret seriozisht për të ju kundërvënë këtyre dukurive shkatërruese të shtetit.

“Askush më nuk është duke tentuar të ndryshojë klimën e bërjes së biznesit në Kosovë, por vetëm po ua përforcojnë dhe zgjatin jetën bizneseve të inkriminuara që ushtrojnë monopol në tregun kosovarë. Pasiguria e investimeve, kërkimi i “hises e mitos” në këmbim të lejeve për investime, shkelja e ligjeve dhe Kushtetutës në ndarjen e tenderëve nga ana e pushtetarëve, ka krijuar pabarazi në tregun tonë, me çka po ndiqen investitorët e huaj dhe ata vendor, duke mos ua lejuar që të investojnë në Kosovë, gjë që për këtë arsye këtyre viteve të fundit në mënyrë drastike kanë rënë investimet e huaja në vendin tonë”, thekson Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Të gjitha këto veprime abuzive në kundërshtim me ligjet, sipas Zeqës ndodhin vetëm në një shtet ku nuk funksionon as prokuroria dhe as gjyqësori, model për ekzemplar që po ju shërben për të keq vendeve të tjera në rajon dhe më gjerë.

“Edhe pse çdo gjë po ndodh para syve të të gjithëve, po heshtin gjykatat, prokuroria speciale dhe prokuroritë lokale në mbarë Kosovën. Haraç-kërkuesit në vend që të ndëshkohen nga drejtësia vendore, po avancohen në poste të larta shtetërore dhe poste diplomatike jashtë Kosove në shtetet euro-perëndimore”, përfundon analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)