Monumenti i heroit, Idriz Seferi së shpejti bënë roje në Grykën e Kaçanikut

  • 03 January 2020 - 15:48
Monumenti i heroit, Idriz Seferi së shpejti bënë roje në Grykën e Kaçanikut

“Përurimi i këtij monumenti në nivelin më solemn e madheshtorë pritet të realizohet, sipas profesor Kadriut, Kryetar i Fondacionit Idriz Seferi, më 12 prill të vitit 2022 , në të njëjtën ditë kur ka filluar lufta kundër perandorisë Turke, kurse kostoja e tij pritet të arrijë afërsisht në 2 milionë euro”, thotë Kadriu për “Kosova Sot Online”.

Viti 2022 do të jetë viti i cili në Grykën e Kaçanikut në një shkëmb masiv do ta nxjerr të gdhendur, për t’i bërë roje kombit shqiptar dhe shtetit të Kosovës, Heroi Kombëtar Legjendar, Idriz Seferi.

Kështu premton dhe zotohet në një bisedë për “Kosova Sot Online”, kryetari i Fondacionit “idriz Seferi” profesor, doktor Sabri Kadriu.

“Projektet e realizuara deri më tani, që nga themelimi i fondacionit në vitin 2006, krijuan bazën për hartimin e Projektit Ideor Monumenti Idriz Seferi Hero, i Gdhendur në shkëmb në Grykën e Kaçanikut, në Kaçanik, përballë autostradës moderne që lidhë Evropën me Azi, me dimensione 20x30m, koka, qafa dhe një pjesë e kraharorit. Ideja për punimin e Monumentit bazohet në të kaluarën e lavdishme të popullit shqiptar, në luftërat e përgjakshme për ruajtjen dhe kultivimin e identitetit, dinjitetit dhe krenarisë personale, familjare dhe kombëtare shqiptare”, thotë për “Kosova Sot Online”, profesor, doktor Sabri Kadriu.

Image
Sabri Kadriu

I pyetur se cili është motivi dhe ideja e ndërtimit të këtij projekti kulmor që do zë vend dhe hapësirë madhështore në Grykën e Kaçanikut, profesor Kadriu thotë se është mbajtja dhe kultivimi i kujtesës historike te të gjithë brezat e rijnë që do të vijnë dhe lindin në Kosovë dhe në trojet shqiptare në ta ardhmen, dhe si e tillë është emërtuar motoja : Mos harro, përkujto, shkruaj, ndriço të kaluarën...

“Të parët tanë, Idriz Seferi etj, lanë shumë amanete për gjeneratat e ardhshme siq janë: ruaje tokën tënde, familjen, gjuhën, zakonet, kulturën, traditën dhe virtytet e vlerat e trashëguara dhe të kultivuara mijëra vjeçare kombëtare, shqiptare. Ruaj edhe vlerat humane siç janë: komunikimi, dialogu, mirëkuptimi, toleranca, solidariteti, reciprociteti dhe integrimet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Prandaj edhe Monumenti Idriz Seferi sintetizon vitet, decenjet, shekujt e mileniumet e së kaluarës së kombit shqiptar dhe racës njerëzore, e krijuar për të realizuar: lirinë, barazinë dhe drejtësinë. Tani në kohën e zhvillimit bashkohor të shkencës dhe teknologjisë, që mundëson dhe kushtëzon ndryshimin e marrëdhënieve shoqërore dhe në funksion të afirmimit të individualitetit. Dhe kështu, tani po krijohen kushtet për ndërtimin e këtij Monumenti gjigant, unikat, në nivel botëror, i cili do të rrezatoj për realizimin e lirisë, barazisë e të drejtësisë bazuar në konventat ndërkombëtare”, shton profesor Kadriu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kadriut, tanimë secili qytetar dhe shqiptar kudo që jeton, e din nga e kaluara se shqiptarët në Ballkan dhe më gjerë, gjatë gjithë historisë 2000 vjeçare, ishin popull që lanë gjurmët e pashlyeshme në histori, dhe kjo ndodhi së fundi edhe pas luftës së UÇK-së.

“Dhe këto gjurmë duhet të kultivohen e të afirmohen, sepse shqiptarët më kurrë nuk do të jenë viktimë e lindjes dhe eksperiment i Evropës. Është vështirë që me pak fjalë të flasësh për Heroin Idriz Seferi, i lindur në fshatin Sefer, Malësia e Shkupit, në afërsi të Zhegrës. Ai në moshën më tëre e deri në vdekje, ushqeu ndjenjën e lirisë, barazisë së kombit shqiptar. Idriz Seferi e deshti lirinë më shumëse jetën. Si prijës,strateg, udhëheqës, ushtar dhe gjeneral i popullit, deri në vdekje luftoi me vullnetarët shqiptar kundër xhandarmërisë dhe ushtrisë serbe, ushtrisë bullgare dhe perandorisë turke. Për jetën dhe veprën e Idriz Seferit, në organizim të Fondacionit Idriz Severi deri më tani janë organizuar 8 tubime shkencore dhe është realizuar filmi dokumentar “drama e madhe” dhe shumë projekte tjera”,theksoi profesor Kadriu për “Kosova Sot Online”.

Ngritja dhe ndërtimi i këtij monumenti madhështor në Grykën e Kaçanikut, sipas profesor Kadriut e ka edhe simbolikën e vetë domethënëse kulmore të qëndresës për liri të Idriz Seferit dhe luftëtarëve të tij në këtë pjesë të trojeve shqiptare. 

“Ajo do të ngritet në një faqe shkëmbore të Grykës së Kaçanikut, aty ku forcat e drejtuara prej tij, në Betejën e lavdishme të Kaçanikut, më 1910 i zbrapsën forcat e mëdha otomane dhe u shkaktuan humbje të mëdha. Ky monument gjigant, sipas projektit, do të jetë i ngjashëm me momentin kushtuar katër presidentëve amerikanë - George Vashington-it, Thomas Jefferson-it, Abraham Lincoln-it dhe Theodore Roosevelt-it – të gdhendur në shkëmb, në një faqe të malit Rushmore, në Dakotën Jugore”, thotë Kadriu për “Kosova Sot Online”.

“Kjo pozitë gjeo-strategjike, e përzgjedhur për këtë monument gjigant të Heroit të Kombit, Idriz Seferi, me një natyrë e kanion që ndanë Malësinë e Shkupit dhe malet e Sharrit është një mrekulli natyrore që sipas mendimeve të ekstpertëve shqiptar dhe ndërkombëtare ky shkëmb dhe kjo natyrë paraqet unikat në Ballkan, Europë e botë dhe do ta tërheq vazhdimisht edhe vëmendjen e vizitorëve që rrugëtojnë në këtë udhëkryq me rëndësi ndërkombëtare. Monumenti gjigant Idriz Seferi i gdhendur në shkëmb ka përballë autostradën moderne që lidhë Azinë me Evropën dhe tërësinë me malin Sharr padrejtësisht të ndarë në 3 shtete; Kosovë, Shqipëri, Maqedoni Veriore ndërsa mbrapa ka Malësinë e Shkupit si tërësi që quhet edhe Karadak i ndarë gjithashtu padrejtësisht në tri shtete; Kosovë, Serbi, Maqedoni e Veriut”, shton Kadriu për “Kosova Sot Online”.

Për realizimin e këtij projekti me kohë, sipas profesor Kadriut, është parapa që pas vitit të ri të shpallet konkursi ndërkombëtarë.

“Gjithashtu edhe për realizimin e projektit të gdhendjes apo realizimit do të shpallet konkursi ndërkombëtar e që sipas projektin ideor në lanin financiar ky monument do të kushtojë afër 2 milion euro. Përurimi i këtij monumenti në nivelin më solemn e madhështor pritet të realizohet më 12 prill të vitit 2022,në të njëjtën ditë kur ka filluar lufta kundër perandorisë Turke”, përfundon Kadriu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)