Kriza në Telekom, të gjithë punëtorëve iu zvogëlohen rrogat deri në 20%

  • 03 January 2020 - 16:17
Kriza në Telekom, të gjithë punëtorëve iu zvogëlohen rrogat deri në 20%

Bordi i Telekomit të Kosovës ka marrë vendim që të gjithë punëtorëve të kompanisë publike të ju zbriten rrogat duke filluar nga 10 deri në 20%. Media ka siguruar emailin që ju është nisur punëtorëve pas këtij vendimi.

Kompania publike Telekom ka një kohë të gjatë që është duke kaluar nëpër një krizë financiare. Madje, shkaku i larjes së disa borxheve, kompania muajve të fundit kishte filluar që t’ua vononte pagat punëtorëve.

Kështu, në Telekom është marrë vendim që për të gjithë punëtorët të zvogëlohen pagat duke filluar nga 1 janari i këtij viti.

Media ka siguruar mesazhin që iu është nisur punëtorëve. 

Aty shkruhet se bazuar në gjendjen financiare të koorporatës, janë detyryar që të bëjnë shkurtime buxhetore, ku edhe kanë miratuar rregulloren për caktimin e koeficientit të pagave. Kontratat e punës, tutje shkruhet se mbesin të njejta.
“Kontratat e punës dhe gradat mbesin të njëjta por koeficienti i secilës gradë  për të gjithë punëtorët pa dallim zbritet për 10 % përjashtuar pozitat e larta të parapara me Ligjin për Ndërmarrje Publike ku zbritja e koeficientit aktual është për 20 % , duke filluar nga data 01.01.2020”, thuhet në këtë njoftim.

Ky ndryshim, shkruhet se është duke u aplikuar për arsye se Telekomi i Kosovës është duke u përballur me probleme teknike dhe ka shkurtuar të gjitha shpenzimet operative.

“Ky ndryshim aplikohet për arsye se TK është duke u përballuar me probleme teknike dhe ka shkurtuar të gjitha shpenzimet tjera operative me qellim  të përmirësimit të shërbimeve për konsumatorë. Me përmirësimin e  gjendjes TK do t’i rikthej koeficientet në gjendje paraprake”, bëhet e ditur.

(Kosova Sot Online)