Saga e mosmarrëveshjes VV-LDK– a do të bëhet Richard Grenell kumbari i koalicionit?

  • 03 January 2020 - 17:13
Saga e mosmarrëveshjes VV-LDK– a do të bëhet Richard Grenell kumbari i koalicionit?

Vetëvendosja dhe LDK-ja prej dy vitesh kishin filluar bashkëpunimin opozitar në Kuvendin e Kosovës për të kundërshtuar koalicionin PAN, i cili në zgjedhjet e vitit 2017 kishte dalur i pari dhe kishte formuar qeverinë. Këto dy parti më herët kishin raporte jo të mira sidomos kur LDK-ja kishte bashkëqeverisur me PDK-në në vitet 2014-2017. Bashkëpunimi i intensifikuar i VV-së dhe LDK-së erdhi pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqje më 19 korrik dhe zgjedhjet e parakohshme ishin të pashmangshme. VV dhe LDK tash e disa muaj janë duke u përpjekur për të ndërtuar një koalicion qeverisës pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit. Sot zyrtarë të LDK’së u pritën në Berlin nga ambasadori amerikan Richard Grenell. Mbetet të shihet nëse amerikanët  do ta zhbllokojnë situatën?

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kohë deri të hënën më gjashtë janar për të finalizuar marrëveshjen e koalicionit.

Pas thirrjeve të vazhdueshme të ambasadave të shteteve të QUINT-it, deputetëve të Bundestagut gjerman, për të formuar qeverinë, së fundi edhe i dërguari i posaçëm i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell takoi sot në Berlin zyrtarët e LDK-së në tentim për t’i bindur këta të fundit që të arrijnë marrëveshje për koalicion me Vetëvendosjen.

Nga zhvillimet e fundit duket se nuk ka përafrim qëndrimesh mes dy subjekteve pasi që nuk ka pasur asnjë takim zyrtar mes dy liderëve Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës kryetar të Kuvendit.

Data 30 gusht 2019 ishte e data e  fundit e përcaktuar nga KQZ-ja për koalicionet parazgjedhore mes partive politike, po këtë ditë kreu i VV-së, Albin Kurti i bëri një ofertë LDK-së për koalicion parazgjedhor.

Kurti i kishte ofruar LDK-së që të hynin në një listë të përbashkët zgjedhore duke ia ofruar Vjosa Osmanit numrin 1 në listë dhe numrin 2 kandidatit të VV-së për Kryeministër dhe ai që do të fitonte më shumë vota do të mandatohej për Kryeministër. 

Po atë ditë Isa Mustafa i kishte kthyer letrën Albin Kurtit duke thënë se lista e përbashkët pa një prijës të nominuar për Kryeministër është një listë pa orientim të qartë dhe propozimi i VV-së shpie nga gara me të tjerët në garë ndërmjet tyre.

Koalicioni parazgjedhor nuk u arrit dhe dy partitë u futën të vetme në zgjedhjet që u mbajtën më gjashtë tetor.

Pas zgjedhjeve Vetëvendosja doli e para fillimisht me 32 deputetë kurse LDK-ja e dyta me 29 deputetë.

Vendimi i Gjykatës Supreme për të mos i futur në rezultatin e përgjithshëm votat e ardhura në pako nga Serbia i mundësoi Nismës së Fatmir Limajt që të futej në Kuvend duke kaluar pragun zgjedhor.

Ky vendim i’a mori VV-së tre deputetë dhe LDK-së një, kësisoj VV-ja mbeti me 29 deputetë kurse LDK-ja me 28.

Dy partitë që dolën fituese të zgjedhjeve filluan takimet për të harmonizuar programin qeverisës për një koalicion paszgjedhor.

Takimi i parë mes tyre ndodhi më 18 tetor në selinë e LDK-së, duke vazhduar edhe me disa takime të tjera në kuadër të grupeve punuese.

Dy partitë u pajtuan se kanë harmonizuar programin qeverisës 100 për qind dhe tani është në dorën e dy liderëve që të vendosin për koalicionin.

Disa ditë para certifikimit të zgjedhjeve Albin Kurti dhe Isa Mustafa u takuan për të biseduar në lidhje me marrëveshjen për koalicion.

Kurti e Mustafa u deklaruan se do të presin certifikimit e rezultatit zgjedhor për të arritur marrëveshjen dhe se kjo do të arrihet 3-4 ditë pasi të shpallen rezultatet e certifikuara.

KQZ-ja përfundimisht certifikoi rezultatet e zgjedhjeve me 27 nëntor 2019 afro dy muaj pas mbajtjes së tyre. Pas certifikimit të rezultateve, Presidenti Thaçi mori vendim që seanca konstituive e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të mbahet më 26 dhjetor një muaj pas certifikimit të zgjedhjeve.

Më 28 nëntor dy liderët u takuan për më shumë se dy orë dhe pas takimit ata u shprehën se janë marrë vesh që të shpeshtojnë takimet në ditët në vijim.

Albin Kurti dhe Isa Mustafa u takuan disa herë në ambientet e Kuvendit të Kosovës por pa ndonjë konkretizim të marrëveshjes.

Kryetarët e partive nuk u dakorduan për ndarjen e pushtetit, LDK-ja vuri në tavolinë çështjen e Presidentit duke kërkuar që të jetë pjesë e bisedimeve për të cilën nuk u pajtua Vetëvendosja.

Kurti e Mustafa kishin mospajtime edhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme të cilën e kishte zgjedhur LDK-ja në shortin për ndarjen e ministrive.

Dy deputetët e Bundestagut gjerman, Peter Beyer dhe Christian Schmidt vizituan Kosovën më 19 dhjetor ku u takuan me zyrtarët e VV-së dhe LDK-së.

Pas këtyre takimeve, deputetët gjermanë mbajtën një konferencë për media në ambasadën gjermane në Prishtine ku bënë thirrje që dy partitë të ulen dhe të arrijnë marrëveshjen për koalicion.

Christian Schmidt në konferencë tha se ““tash për tash nuk është koha që të zgjidhet presidenti por të formohet qeveria”. Ndaj kësaj kishte reaguar edhe Peter Beyer duke e aprovuar me fjalën “saktësisht”.

Pas vizitës së deputetëve të Bundestagut, Kurti e Mustafa u takuan të nesërmen më 20 dhjetor por qëndrimet ishin të njëjta nga të dy palët pa u lëkundur nga pozicionet.

I mandatuari për Kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, publikoi një video në Facebook një ditë para konstituimit të Kuvendit.

Në video Kurti foli për arsyet e mosarritjes së marrëveshjes për qeverisje me LDK-në para mbajtjes së seancës.

Kurti i kishte dhënë afat Mustafës 24 orë për të pranuar ofertën e datës 23 dhjetor, e cila përmbante tri pika të cilën e kishte refuzuar të nesërmen kreu i LDK-së.

LDK-ja mbajti mbledhjen e kryesisë më 26 dhjetor pak orë para seancës konstituive. Kryetari i partisë, Isa Mustafa foli para mediave në një konferencë ku tha se deputetët e LDK-së do të votojnë propozimet e Vetëvendosjes lidhur me seancën konstituive edhe pse nuk kishin arritur marrëveshje.

Në seancën inauguruese të Kuvendit, Albin Kurti propozoi Glauk Konjufcën për Kryetar të Kuvendit, i cili u zgjodh në këtë pozitë me 75 vota pro duke përfshirë edhe votat e LDK-së ani pse në bisedimet mes dy partive kjo pozitë i takonte LDK-së.

Pas zgjedhjes së Konjufcës kryeparlamentar, Isa Mustafa deklaroi se gjithçka do të nisë nga fillimi duke mos përjashtuar edhe mundësinë që LDK-ja të dalë në opozitë.

Të nesërmen e seancës konstituive të legjislaturës së shtatë, Presidenti Thaçi ftoi dy herë brenda ditës në takim konsultativ të mandatuarin për Kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.

Këtë ftesë Kurti e refuzoi duke thënë se nuk ka mundësi të takohet pasi gjendet jashtë vendit.

Thaçi e ftoi Kurtin për herën e dytë më 31 dhjetor, por edhe kësaj ftese Kurti iu përgjigj negativisht duke thënë se nuk do të ketë mundësi të takohet duke propozuar ditën e hënë, datën 6 janar për t’u takuar.

Presidenti Thaçi u pajtua që të takojë Albin Kurtin më 6 janar në ora 15:00 për t’u konsultuar për rreth mandatarit për formimin e qeverisë.

Që nga 26 dhjetori kur edhe u votua Kryetari i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, nuk ka pasur asnjë takim zyrtar të konfirmuar të dy kryetarëve Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, ani pse Kurti kishte deklaruar se LDK-ja do t’ia përcaktojë formimin e qeverisë së re dhe jo Presidenti i Republikës.

Pritet të shihet nëse Kurti dhe Mustafa do të gjejnë zgjidhje për të përfunduar marrëveshjen e koalicionit paszgjedhor apo do të përfundojnë pa marrëveshje për koalicion sikur para zgjedhjeve të gjashtë tetorit.

Albin Kurti nga e dita e hënë kur do të mandatohet për Kryeministër do të ketë afat 15 ditë sipas Kushtetutës për të siguruar votat e mjaftueshme në Kuvend për të formuar qeverinë, rrjedhimisht 28 votat e LDK-së nëse arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje.

(Kosova Sot Online)