Vjosa Osmani shpreson në marrëveshjen VV-LDK

  • 03 January 2020 - 20:27
Vjosa Osmani shpreson në marrëveshjen VV-LDK

Vjosa Osmani ka thënë sot se do të ishte gabim historik për vendin nëse nuk arrihet marrëveshja me Vetëvendosjen.

Një takim i rëndësishëm do të zhvillohet të hënën në zyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në zyrat e LDK-së, do të mblidhet fillimisht kryesia e kësaj partie e më pas edhe grupi parlamentar.

E ky takim pritet të jetë vendimtar rreth mundësisë së arritjes apo jo të një koalicioni qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.

Gjithë këto takime do të ndodhin si pasoj e zhvillimeve në seancën konstituive të fund viti të kaluar, kur Glauk Konjufca u zgjodh kryetar kuvendi.

Se takimet janë refleksion i këtyre zhvillimeve e konfirmon edhe nënkryetarja e LDK’së Vjosa Osamni.

“Pas zhvillimeve të 26 dhjetorit ka qenë nevoja që organet e LDK të mblidhen edhe njëherë. Këto takime kanë qenë të parapara për të premten por janë shtyrë për të hënën për shkak të arsyeje teknike dhe një numër i deputetëve nuk janë në Kosovë. Të hënën do të diskutojmë këto rrethana të reja për të parë se cili është qëndrimi i kryesisë dhe deputetëve të cilët kanë marrë legjitimitetin qytetarë. Pasi ti dëgjojmë qëndrimet e tyre do të shohim se si do të procedohet më tutje”, ka thënë Osmani, nënkryetare e LDK’së. 

Ndërkohë, nënkryetarja e LDK-së, njëherësh edhe kandidatja e kësaj partie për kryeministre konsideron si gabim historik mos arritjen e marrëveshjes së dy partive fituese.

Madje thotë se do të insistoj deri në fund deri në rezultatin pozitiv.

“Nuk mund te flas se cili do të jetë qëndrimi i ri. Por mendoj se do të ishte gabim historik për vendin nëse nuk do të ketë marrëveshje me Vetëvendosje. Si bartëse e listës e LDK’së dhe përfaqësueses e votuesve e kam për detyrë që ta dërgoj vullnetin qytetar deri në fund. Do të insistoj deri në fund”, ka thënë Osmani.

Sipas nënkryetares së LDK-së, këto ditë nuk ka pasur takime në mes të dy partive.

“Nuk janë takuar, pas takimit të të hënës pasi ti përcaktojmë qëndrimet tona atëherë do të ketë takime të reja dhe të shohim se si do të procedohet. Nuk dua të paragjykoj e rëndësishme është që marrëveshja të arrihet dhe nuk kam mirëkuptim ndaj kujtdo qoftë krijon pengesa ndaj vullnetit qytetar. Të krijohet besimi dhe të krijojmë një atmosferë më të mirë të komunikimit dhe bashkëpunimit që ti hapet rrugë marrëveshjes”, ka thënë Osmani.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa ende nuk kanë arritur të merren vesh për një koalicion për bashkëqeverisjes.

Të hënën Albin Kurti pritet të takohet me presidentin Hashim Thaçi, e ku ky i fundit pritet ta mandatoj Kurtin, për të themeluar qeverinë e re.

(Kosova Sot Online)