Amerikë, intesifikohet fushata e demokratëve para zgjedhjeve të brendshme

  • 03 January 2020 - 20:59
Amerikë, intesifikohet fushata e demokratëve para zgjedhjeve të brendshme

Janari do të shënojë rritjen e intensitetit të fushatës elektorale presidenciale për zgjedhjet e vitit 2020, ndërsa pretendentët demokratë për Shtëpinë e Bardhë po shtojnë përpjekejt në prag të votimeve të para në grupe që zhvillohen në shtetin Ajova më 3 shkurt. Sondazhet tregojnë se ish-zëvendëspresidenti Joe Biden kryeson garën mes demokratëve. Por disa kundërshtarë po përpiqen të paraqiten fuqishëm në sfidat e para në shtete si Nju Hamshër dhe Karolinën e Jugut.

Prej kohësh zoti Joe Biden ka argumentuar se është kandidati më i fuqishëm demokrat për tu përballur me Presidentin Trump nëntorin që vjen.

“E di që jam kritikuar nga disa kundërshtarë të mirë që kanë thënë se Biden është naiv kur flet për bashkimin e vendit. Nëse nuk e bashkojmë vendin ne nuk mund t’ia dalim. Nuk mund t’ia dalim me sistemin që kemi.”

Zoti Biden kryeson anketat kombëtare por përballet me sfida të forta gjatë votimeve paraprake në disa shtete si Ajova dhe Nju Hamshër nga një grup pretendentësh ku përfshihet edhe Senatorja Elizabeth Warren nga shteti Masaçusets.

“Nëse duam të stimulojmë ekonominë, nëse duam një ekonomi që rritet, atëherë le ta bëjmë duke investuar tek populli ynë. Le të lëmë paratë në duart e tyre dhe jo në duart e miliarderëve.”

Ngritja e saj në anketa vazhdoi gjatë gjithë vitit por kohët e fundit duket se vrulli i saj ka ngecur.

Një kandidat që ka njohur rritje në disa prej shteteve të hershme në javët e fundit është kryebashkiaku i qytetit South Bend të Indianës, Pete Buttigieg.

“Ne mund të ofrojmë nxitje dhe jo të polarizojmë një shumicë amerikane që është gati për reforma dhe ide të mëdha. Gjëra që i kemi menduar të pamundura për dekada. Kjo arrihet nëse e mbajmë këtë shumicë të bashkuar dhe jo duke e përçarë dhe polarizuar.” 

Në krye të rradhitjes demokrate është edhe Senatori Bernie Sanders i Vermontit, i cili shpesh vë në shënjestër zotin Trump gjatë tubimeve elektorale.

“Fushata jonë është krejtësisht e kundërta e saj që po përpiqet të bëjë zoti Trump. Ai po mundohet të na përçajë. Ne po i bashkojmë njerëzit tanë, rreth një programi që funksionon për popullin amerikan.”

Kandidatët e tjerë, jo në formë të mirë, shpresojnë për sukses në Ajova si Senatorja Amy Klobuchar e Minesotës, Senatori Cory Booker i Nju Xhersit dhe sipërmarrësi Andrew Yang.

Ata përballen me një provë vendimtare sapo të fillojë votimi, thotë analisti Larry Sabato.

“Ose do marrësh vota ose jo. Askush nuk mund të justifikojë mbështetjen e vogël në Ajova (Iowa). Është e vështirë që të vazhdojnë sepse donatorët nuk do të kenë më interes, çfarë do të thotë se nuk do të ketë më para. Kjo nënkupton dhënien fund të fushatës.”

Beteja në kampin demokrat mund të jetë një luftë e gjatë për të fituar emërimin e partisë mes të moderuarve, që kërkojnë një kandidat të fuqishëm përballë Presidentit Trump, dhe liberalëve që kërkojmë ndryshime gjithëpërfshirëse ekonomike dhe sociale. Tom Schwartz është ekspert në Universitetin Vanderbilt.

“Mbështetja brenda demokratëve është më shumë në të majtë sesa me të moderuarit si zoti Biden. Votimet paraprake mund të jenë shumë të polarizuara.”

Ish-kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut Michael Bloomberg u fut vonë në fushatën demokrate. Anketat e fundit tregojnë se ai ka fituar mbështetje pas një serie reklamash televizive disa miliona dollarëshe.

(Kosova Sot Online)