Lidhja me krimin e organizuar, kërkohet urgjentisht Vetting-u në Kosovë

  • 04 January 2020 - 07:26
Lidhja me krimin e organizuar, kërkohet urgjentisht Vetting-u në Kosovë

“Nëse mbështetemi në të dhënat e IPK-së vërehet se keqpërdorimet nga Policia e Kosovës janë të qarta. Vetëm në një periudhë 9 mujore janë mbi 100 raste të veprave të dënueshme penale. Pra, po futemi në vitin 2020 pa ndryshime dhe me gjendje të njëjtë. I takon Qeverisë që do të vij që të intervenon në fushat e tilla dhe të fillon VETTING në polici, në AKI, në Prokurorinë e Kosovës, nëpër gjykata dhe kudo nëpër organet e shtetit”, thotë profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Njohësit e fushës së të drejtës të cilët e kanë analizuar, dhe përcjellë së afërmi mënyrën funksionimit të sistemit të drejtësisë në vend, konsiderojnë se edhe në vitin që posa kemi shkelur, sfida dhe detyra kryesore për institucionet e shtetit do të jetë bërja më funksionale e drejtësisë, në mënyrë që fillojë të parandalohet dhe luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Mirëpo për tu arritur një progres në këtë fushë, sipas ekspertëve duhet që të ndodhë Veting-u edhe në vendin tonë, ndryshe përpjekjet mundë të jenë vetëm improvizime dhe të para përgatitura për dështim.

Për këtë sfidë serioze, për “Kosova Sot Online”, ka folur profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi.

Sipas Kelmendit, edhe viti 2020 nuk do të sjell ndryshimet që i dëshiron shumica e qytetarëve, ngase krimi i organizuar ka depërtuar thellë në të gjitha fushat e jetës institucionale.

Image
Muhamet Kelmendi

“Nuk kam mendim pozitiv se sistemi i drejtësisë, i luftimit të dukurive negative dhe antiligjore, do të përmirësohet në vitin 2020. Natyrisht se qytetarët kanë dëshirë dhe presin që kudo nëpër organet e luftimit të krimit dhe të korrupsionit të jetë suksese dhe ato të triumfojnë. Por, shikuar në kontekstin zhvillimor nuk priten ndryshime të thella, madje as të vogla. I tërë sistemi po kalon ndërrimin e viteve me përbërje të njëjtë dhe pa ndryshime të nevojshme që i bëjnë funksional organet kryesore të luftës kundër krimit dhe korrupsionit, dukurive antiligjore në vend”, thotë profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Se kjo gjendje është kaq e rëndë, sipas Kelmendit e dëshmojnë edhe reagimet e ambasadave të shteteve mike.

“E tërë kjo po konstatohet edhe nga Ambasada e SHBA-ve në Kosove dhe ambasadat tjera mike të Kosovës. Është ende në kujtesën e njerëzve thëna e ish-ambasadorit të Anglisë në Kisovë, z. O 'Conel, kur deklaronte se ku po merren mjetet që të kenë ata që duhet ta luftojnë krimin, që me këto të ardhura të kenë vetura të shtrenjta, veshjet e shtrenjta, shtëpitë luksoze, makinat dhe pushimet më kualitative. Kjo vlen edhe sot. Madje tash është rritur kapaciteti blerës sepse të ardhurat e tyre janë çudis 2000-3000 eurove në kohën kur njerëzit jetojnë në Kosove me nga 70 a 90 euro në muaj. Kemi kështu një dallim prej 30 herëve me masat që jetojnë nga ndihmat sociale”, shton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Po aq e rëndë, sipas Kelmendit është gjendja edhe në policinë e Kosovës, ku po ashtu duhet të futet procesi i Vetting-ut, pasi rrjetet kriminale janë shndërruar në sëmundje kancerogjene për policinë, gjë që po dëshmohet nga shkeljet e ligjit dha masat që ndërmerren ndaj shkelëseve nga ana e Inspektoratit të Policisë.

“Nëse mbështetemi në të dhënat e IPK-së vërehet se keqpërdorimet nga Policia e Kosovës janë të qarta. Vetëm në një periudhë 9 mujore janë mbi 100 raste të veprave të dënueshme penale. Pra, po futemi në vitin 2020 pa ndryshime dhe me gjendje të njëjtë. I takon Qeverisë që do të vij që të intervenon në fushat e tilla dhe të fillon VETTING në polici, në AKI, në Prokurorinë e Kosovës, nëpër gjykata dhe kudo nëpër organet e shtetit. Pastrimi duhet të ndodhë sepse nuk duhet të lejohet që pushteti të mbetet në duar të njerëzve të pa aftë, për të mos thënë, të dëmshëm dhe tërësisht të paditur. E vendi jonë ka kuadro të bollshme prandaj ato kuadro duhet kërkuar dhe angazhuar sipas nevojës dhe përgatitjes profesionale”, përfundon për “Kosova Sot Online”, profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi.

(Kosova Sot Online)