Parashikimi: Këto janë sfidat serioze që e presin Kosovën këtë vit

  • 04 January 2020 - 07:36
Parashikimi: Këto janë sfidat serioze që e presin Kosovën këtë vit

“Në Kosovë për dy dekada janë grumbulluar me qindra probleme. Kosova ka shumë sfida. Ekonomia, drejtësia, shëndetësia dhe arsimi janë sfidat më të mëdha që duhet të ballafaqohet qeveria e ardhshme. Vendi dita-ditës po braktiset nga qytetarët e saj. Nëse vazhdon me këtë trend, atëherë brenda pak vitesh në Kosovë do të ngelin vetëm pleq e plaka”, thotë Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse është pritur me shpresa të mëdha për ndryshime pozitive, sipas analistëve viti 2020 do të jetë një vit i sfidave serioze për qeverisjen e re, për t’i adresuar problemet e pa zgjidhure me vite nga mandatet e kaluara qeverisëse, probleme këto tepër serioze në të gjitha fushat e jetës, që ia kanë humbur shpresën qytetarit për të jetuar në këtë shtet, dhe dita ditës po shtohet interesimi për migrim për të ikur jashtë vendit.

Për shumicën e sfidave që e presin Kosovën edhe në vitin 2020, për “Kosova Sot Online”, flet analisti politik, Faik Krasniqi.

Image
Faik Krasniqi

“Në Kosovë për dy dekada janë grumbulluar me qindra probleme. Kosova ka shumë sfida. Ekonomia, drejtësia, shëndetësia dhe arsimi janë sfidat më të mëdha që duhet të ballafaqohet qeveria e ardhshme. Vendi dita-ditës po braktiset nga qytetarët e saj. Nëse vazhdon me këtë trend, atëherë brenda pak vitesh në Kosovë do të ngelin vetëm pleq e plaka”, thotë Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, është tani në përgjegjësinë e LVV-së dhe LDK-së që ta formojnë qeverinë e re, dhe t’i realizojnë premtimet e tyre të mëdha për ndryshime, sepse qytetarët iu kanë dhënë besimin.

“LVV dhe LDK kanë premtuar fonde dhe një bankë për zhvillim ekonomik. Këto duhet të vihen në funksion me të filluar punën qeveria e re. Bizneseve fillestare(start-up) duhet t'u jepet përparësi të madhe, sepse kjo kategori është motori i zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës. Një shumë e parave duhet të ndahen për këto biznese që do të hapen, sepse me qindra e mijëra projekte janë në mesin e popullatës, por janë të privuar si nga bankat por edhe nga shteti për t'i jetësuar. Është jetike për shtetin që këto fonde të funksionalizohen, në mënyrë që të parandalohen ikjet masive nga vendi”, shton Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Krasniqi thekson se një mal problemesh që duhet të adresohen në vitin në vijim janë edhe ato në drejtësinë e Kosovës, sepse për vite të tëra është shndërruar në plagën më të rëndë që po e pengon zhvillimin e vendit dhe fuqizimin e shtetit të së drejtës.

“Drejtësia është plaga më e madhe në këtë vend. Në mungesë të drejtësisë po vuajnë qytetarët dhe po përfitojnë politika kriminale dhe bizneset oligarkike. Sistemi i drejtësisë urgjentisht duhet të pastrohet nga prokurorët dhe gjykatësit e kapur nga politika dhe para politika. Pa anashkaluar edhe shëndetësinë dhe arsimin, që janë degraduar tej mase”, përfundon analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)