“Koalicioni Vetëvendosje-LDK”, ja pse kërkohet ndërhyrja urgjente e SHBA-së

  • 04 January 2020 - 07:46
“Koalicioni Vetëvendosje-LDK”, ja pse kërkohet ndërhyrja urgjente e SHBA-së

“Kështu siç po rrjedhin ngjarjet, nëse nuk ndërhynë faktori ndërkombëtar si ambasada e SHBA dhe përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it,tashmë pothuajse janë shterur të gjitha pritjet që në Kosovë,vërtetë të ndodhë koalicioni mes VV-se dhe LDK-së”, thotë analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë nuk presin ndonjë rezultat spektakular nga takimi i caktuar për datën 6 janar, në mes të Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit, në konsultë për krijimin e qeverisë së re, pasi akoma nuk ka marrëveshje të harmonizuar dhe të finalizuar në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Analisti politik, Gani Qarri thotë për “Kosova Sot Online” se nëse nuk ndërhyjnë fuqishëm amerikanët dhe vendet tjera me ndikim te BE-së në këtë proces bisedimesh, bisedimet për koalicion do të dështojnë, dhe vendi shkojë në zgjedhje të reja.

Image
Gani Qarri

“Pas dështimit të përpjekjeve të gjata për marrëveshje VV-LDK dhe zgjedhjes së deputeti të LVV-së, Glauk Konjufca tashmë kryetar i Kuvendit të Kosovës,gjasat që data e 6 janarit të jetë dita "D", kur përfundimisht do të mund të zgjidhej nyja e ngërçit për arritjen e marrëveshjes së mundshme të koalicionit LVV-LDK, janë zbehë vërtetë shumë. Uzurpimi i pozitës së kryetarit të Kuvendit, pozitë që nga VV-qysh nga fillimi i ishte premtuar LDK-së,ka dëmtuar në mase mundësinë e ndërtimit të institucioneve të reja të shtetit të Kosovës,ndaj e gjitha kjo më tepër lë të dyshohet se dështimi i marrëveshjes së kompromisit ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, ka kohë që është para programuar dhe tanimë më tepër luftohet për ta kthyer procesin mbrapa dhe shkuar në zgjedhje të reja”, thotë analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, megjithëse kreu i VV-së dhe kandidati për kryeministër nga ky subjekt politik, është zotuar se më në fund do ta thyej akullin, dhe do të shkojë në takim te presidenti Thaçi për konsultat e nevojshme rreth formimit të institucioneve të reja, dhe po të njëjtën ditë edhe kreu i LDK-së Isa Mustafa do të mbajë dy mbledhje me strukturat e partisë së tij, me grupin parlamentar dhe kryesinë e partisë, kjo më tepër bëhet për kamuflim dhe hedhjen e fajësisë së dështimit te partia tjetër, se sa në të vërtetë që LVV dhe LDK janë të vendosura për të lidhur koalicion ndërmjet veti.

Prandaj, sipas Qarrit është momenti i fundit dhe kritik që të ndërhyjnë amerikanët.

“Kështu siç po rrjedhin ngjarjet, nëse nuk ndërhynë faktori ndërkombëtar si ambasada e SHBA dhe përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it,tashmë pothuajse janë shterur të gjitha pritjet që në Kosovë,vërtetë të ndodhë koalicioni mes VV-se dhe LDK-se. Në këtë mënyrë, Kurti jo vetëm se nuk mundet por duket se as nuk është fort i interesuar që ta formon Qeverinë e re, madje me emërimin e Konjufcës për kryetar të Kuvendit, ai u kujdes me kohë, që asgjë të mos i mbetet rastësisë dhe në skenarët e mundshëm që e presin Kosovën, vendi të mos mbetet të vendos vetëm presidenti, por vendimet ti marrë Parlamenti, sidomos kur është fjala për zgjedhjet e reja, drejt të cilave, që nga konstituimi i Kuvendit, Kurti ka nisur hapur të marshojë”, përfundon analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)