Edhe këtë vit shteti do të harxhojë gati dy milionë euro për objekte me qira

  • 04 January 2020 - 13:12
Edhe këtë vit shteti do të harxhojë gati dy milionë euro për objekte me qira

Rreth 20’të institucione shtetërore duket se do të vazhdojnë të funksionojnë nëpër objekte private. Zgjidhje për këtë çështje nuk pritet as gjatë këtij viti, meqenëse siç thonë në MAP, ka mungesë të ndërtesave shtetërore. Për qiratë e këtyre institucioneve, Shteti shpenzon rreth 2 milionë euro çdo vit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shumë shpejt do të vendoset në një objekt privat. Ndërtesa në të cilën deri tash ishte e vendosur kjo ministri do të kalojë në shfrytëzim të Presidencës së Kosovës.

Shtëpia e re e kësaj ministrie pritet të jetë një objekt afarist në Prishtinë te ndërtesa e ish-Ramiz Sadikut, derisa kostoja mujore e qirasë pritet të jetë 41 mijë euro.  

Në objekte të tilla funksionojnë tash e sa vite Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Ministria e Integrimit dhe ajo e Zhvillimit Rajonal.

Përveç ministrive, tash e sa kohë në objekte private zhvillojnë punën edhe 10 institucione tjera.

Vendosja e këtyre institucioneve në të tilla objekte i kushton buxhetit të shtetit miliona euro çdo vit. Vetëm gjatë 2018’s janë shpenzuar rreth 2 milionë euro për qiratë e tyre.

Për këtë çështje ka folur edhe Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar. Ai tha se një prej sfidave për këtë ministri mbetet akomodimi i institucioneve të cilat paguajnë qira ngase në kryeqytet nuk ekzistojnë ndërtesa të mjaftueshme shtetërore.

“Është një prej sfidave edhe për punën e qeverisë edhe për institucionet, në këtë rast MAP në një mënyrë ka obligim dhe përgjegjësi ndaj të gjithë institucioneve të Republikës së Kosovës. Dihet që në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës, nuk ekziston ndërtesat mjaftueshme shtetërore për me ofru akomodimin për të gjithë institucionet e Kosovës dhe vërtetë ekzistojnë ende institucionet dhe në të ardhmen do të jetë në njëfarë mënyre që të akomodohen nëpër institucione ose nëpër ndërtesa ku duhet të paguhet qiraja”, ka thënë ai.

Yagcilar ka thënë se këto institucione do të vazhdojnë të funksionojnë në objekte të tilla deri të gjendet një zgjidhje.

‘Në atë rast kur institucionet janë në ndërtesa me qira ata paguajnë prej buxhetit të vet dhe në një mënyrë çdo muaj kjo çështje ose ndryshohet dhe detaje të sakta për me rregullu, atëherë duhet të bëjmë të gjitha ato kalkulime edhe përmes ministrisë së Financave dhe buxhetit të institucioneve dhe të nxjerrim një buxhet të saktë. Por po paguhet një buxhet i cili do të ishte mirë të bëhet pak më ndryshe, por në këtë moment në mungesën e ndërtesave shtetërore, jemi obliguar dhe në një farë mënyrë, institucionet kërkojnë zgjidhje me akomodimin përmes qirasë”, ka thënë Yagcilar.

Ndërkohë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka paralajmëruar se me ardhjen e tij në krye të ekzekutivit, asnjë institucion publik nuk do të zhvendoset në objekte private.

“Qeveria e re ka si prioritet mbi prioritetet zvogëlimin e shpenzimeve qeveritare. Do të fillojmë me objektivin që asnjë institucion publik të mos vendoset nëpër objekte private. Kjo nënkupton që nuk mund të lejojmë rialokime të stafit nëpër ndërtesa vetëm e vetëm për të përmbushur apetitet për luks të individëve të caktuar në nomenklaturën politike e as nevojën për përfitime të paligjshme të pronarëve të objekteve të caktuara private”, kishte shkruar Kurti në Facebook.

Ndryshe, buxhetin e shtetit e rëndon më së shumti qiraja e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Ministrisë së Financave.

Në bazë të listës që ka siguruar media nga Ministria e Administratës Publike (e përditësuar në mars të 2018’s), qiraja vjetore e ATK’së është 384 mijë euro, përkatësisht 32 mijë euro në muaj. Ndërkohë, qiraja e MF është 347 mijë euro.

Goxha para në vit shpenzohen edhe për qiranë e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Agjencinë Kosovarë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Ndërkohë, më së paku para harxhohen për qiratë e objekteve ku janë të vendosura Instituti Pedagogik i Kosovës, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Zyra e Rregullatorit për Ujë dhe Mbeturina. 

Në vitin 2008 – 2015, Qeveria e atëhershme e kishte hartuar një Plan Strategjik që parashihte që shumë institucione të kalonin nga objektet private në ato publike.

Ndonëse në një masë kjo është arritur, ku shumë institucione kanë zënë zyrat e UNMIK’ut, prapë Qeveria paguan me miliona euro qira.

(Kosova Sot Online)