Kryemadhi: Nëse Rama s’do i falte para oligarkëve, 10 mijë shqiptarë të prekur nga tërmeti do ishin strehuar

  • 04 January 2020 - 13:48
Kryemadhi: Nëse Rama s’do i falte para oligarkëve, 10 mijë shqiptarë të prekur nga tërmeti do ishin strehuar

Gjatë konventës së sotme të LSI-së në Tiranë, kryetarja e kësaj force politike Monika Kryemadhi foli për tërmetin shkatërrues të 26 nëntorit.

Kryemadhi u shpreh se kostot mund të ishin mbuluar nga qeveria nëse Rama nuk do t’i falte oligarkëve lekë me koncesione apo me tendera.

Sipas saj vetëm me koncesionin e sterilizimit 8.5 milionë euro që u denoncua pikërisht dje nga PD mund të ndërtoheshin 40 mijë m2  apartamente që do të thotë strehim për 10 mijë shqiptarët e mbetur pa shtëpi nga tërmeti.

“Korrupsioni po lë viktimat e tërmetit pa shtëpi Politika jo humane dhe dritëshkurtër e Rilindjes ngriti taksat për shqiptarët dhe bizneset dhe si rezultat me mijëra biznese u mbyllën. Mbyllja e mijëra bizneseve erdhi edhe si rezultat i korrupsionit të paprecedent të taksidarëve të Rilindjes. Biznesi vendas por edhe investitorët e huaj janë lënë në dorë të gjobëvënësve dhe klientëve kriminalë të qeverisë. Ndaj Shqipëria ka nivelin më të ulët të investimeve të huaja në rajon, dhe ka rënë poshtë në treguesit e klimës së biznesit. Kthimi i ekonomisë shqiptare në një lavatriçe e pastrimit të parave të drogës të trafiqeve ka dëmtuar ekonominë në afatgjatë, duke shkatërruar konkurrencën dhe tregun e lirë. Bilanci i 2019-të na tregon qartazi se kjo është qeveria e dështimeve të mëdha edhe në bujqësi.

Ne sot mbajmë vendin e fundit në rajon për produktivitetin, eksportet dhe për mbështetjen e prodhimit bujqësor. Dhe dështimi për të mbështetur bujqësinë është dështim për të mbështetur gjysmën e popullsisë shqiptare që merret me të, e cila, në 80 për qind të saj punon për tu ushqyer vetë, pra, për të mbijetuar. Por 2019, shënoi një rritje, rritjen e pagesës për koncesionet: shqiptarët paguan 16% më shumë se në 2018,për koncesionet. Koncesionet e sterilizimit ku çdo komplet kushton 60 here me shume se ne Gjermani, Turqi e gjetke. • Unaza e Re – 40 milion euro grabitja • Teatri – 200 milion euro • Dividenti – 140 milion euro iu merren buxhetit te shqiptareve Ndonëse, ishte viti i fatkeqësisë së shqiptarëve, ndërkohë që sipas shifrave të qeverisë 10225 qytetarë flenë në çadra, mbi 3580 shtëpi dhe godina janë prishur, dhe 3650 qytetarë duhet të dalin nga vendet ku janë strehuar se ju ka mbaruar afati, e vetmja gjë që rritet është pagesa për koncesionet dhe klientët e qeverisë. Edi Rama dhe Rilindja paguajnë vetëm një koncesion”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)