Vjen paralajmërimi i fortë për VV-në dhe LDK-në: Ja kur vendoset fati i qeverisë Kurti

  • 05 January 2020 - 10:10
Vjen paralajmërimi i fortë për VV-në dhe LDK-në: Ja kur vendoset fati i qeverisë Kurti

“Nga ajo që shihet në horizont, gjasat janë të mëdha që vendi të shkojë në zgjedhje të reja sesa Albin Kurti të formojë qeverinë. Investimet e PAN-it në deformimin e procesit zgjedhor në njërën anë, dhe në tjetrën, me "ndezjen e fitilit" përçarës në mes LVV-së dhe LDK-së janë duke shkuar drejt cakut final për çuarjen e vendit në zgjedhje”, thotë Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë po e presin me interesim të madh zhvillimin e epilogut të takimit të parë në mes të Hashim Thaçit dhe liderit të VV-së, kandidatit për kryeministër, Albin Kurtit, takim ky i caktuar për datën 6 janar.

Kjo ditë, sipas analistëve duhet të jetë edhe dita dhe data e zgjidhjes së nyjës së bllokuar për krijimin e koalicionit LVV-LDK, ose konfirmimin e dështimit të tij, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

Kështu thotë për “Kosova Sot Online” analisti politik, Florim Zeqa, sipas të cilit “peshorja” më shumë rëndon në anën e kundërt, në atë dështimit të marrëveshjes së koalicionit dhe rrëshqitjes së vendit në krizë akoma më të thellë, që provokon zgjedhjet e reja.

Image
Florim Zeqa

“Nëse ju referohemi zhvillimeve të deritanishme, data e 6 janarit pritet të jetë dita “D” kur përfundimisht të zgjidhet nyja e ngërçit për marrëveshjen e koalicionit LVV-LDK, qoftë për ndërtimin e institucioneve të reja të shtetit të Kosovës, qoftë par të kthyer procesin mbrapa dhe shkuar në zgjedhje të reja, nëse dështon marrëveshja e kompromisit mes LVV-së dhe LDK-së. E treta e vërteta. Pas refuzimit dy herë radhazi të ftesës së presidentit, kreu i VV-së dhe kandidati për kryeministër nga ky subjekt politik, Albin Kurti është zotuar se më në fund do ta thyej akullin dhe do të shkon në takim te presidenti Thaçi për konsultat rreth formimin e institucioneve të reja, kurse po të njëjtën ditë, kur do të takohet edhe kreu i LDK-së Isa Mustafa do të mbajë dy mbledhje me strukturat e partisë së tij”, thotë analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas Zeqës, takimet paraprake të strukturave të LDK-së do të jenë vendimtare për epilogun e takimit Thaçi-Kurti, dhe fatin e koalicionit LVV-LDK, përkatësisht fatit të qeverisë Kurti.

Pas zgjedhjes së kryeparlamentarit nga radhët e VV-së, dhe barrikadimi i LDK-së pas postit të presidentit dhe kërkesës për MPB-në, sipas analistit Zeqa është zvogëluar në masë të madhe mundësia e koalicionit mes këtyre dy subjekteve, pasi edhe investimet e PAN-it janë të mëdha për ta pamundësuar koalicionin LVV- LDK.

“Nga ajo që shihet në horizont, gjasat janë të mëdha që vendi të shkojë në zgjedhje të reja sesa Albin Kurti të formojë qeverinë. Investimet e PAN-it në deformimin e procesit zgjedhor në njërën anë, dhe në tjetrën, me "ndezjen e fitilit" përçarës në mes LVV-së dhe LDK-së janë duke shkuar drejt cakut final për çuarjen e vendit në zgjedhje”theksoi Zeqa për “Kosova Sot Online”. 

Sidoqoftë, Zeqa kujton se me shkuarjen eventuale në zgjedhje të reja, humbësit më të mëdhenj do të jenë LVV dhe LDK që e kanë mashtruar popullin kinse do të arrijnë marrëveshje të shpejtë për koalicion, menjëherë pas përfundimit dhe certifikimit të zgjedhjeve.

“Pas zgjedhjeve të reja, partive "fituese" të zgjedhjeve të 6 tetorit, do t'u mbetet në dorë të "trashtë e surles", ngase do ta kenë tepër të vështirë të ruajnë kuotat aktuale zgjedhore. Me lëshimin e rastit historik, për aq sa Albin Kurti do të pendohet për vënien e vijave të kuqe, po aq edhe LDK-ja do të pendohet për mbajtjen e një lideri invalid në krye të saj”, përfundon Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)