Nga kriza mes ShBA-së e Iranit mund të përfitojë Rusia

  • 05 January 2020 - 12:39
Nga kriza mes ShBA-së e Iranit mund të përfitojë Rusia

Zyrtarë të lartë rusë e kanë dënuar publikisht vrasjen e komandantit më të fuqishëm iranian nga forcat amerikane, duke u bashkuar me liderët botërorë që kanë paralajmëruar se ky veprim do të sjellë rritje të tensioneve në rajonin e Lindjes së Mesme, i cili edhe ashtu është jostabil.

Megjithatë, Kremlini mund të ketë aftësi të përfitojë nga sulmi kundërthënës ndaj aleatit të vet, nëse arrin ta fusë më thellë pykën në marrëdhëniet strategjike të Uashingtonit me aleatët evropianë, thonë analistët.

Ata gjithashtu thanë se rritja e tensioneve mes dy palëve të konfliktit do të ishte një mundësi e artë për presidentin rus, Vladimir Putin, që ta dëshmojë pozitën e tij në lidershipin botëror duke punuar për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Putinit do t’i pëlqente që ta marrë rolin e ndërmjetësit për t’i ulur tensionet, por edhe për ta forcuar imazhin e tij te vendet perëndimore”, tha Jonathan Katz nga Fondi Gjerman Marshall në Uashington.

Ai më tej tha: “Mosinformimi i partnerëve evropianë nga Trump-i për këtë sulm ia ka dhënë një fitore Putinit në kuptimin e marrëdhënieve trans-atlantike.”

Ndryshe, presidenti rus është telefonuar nga homologu i tij francez, Emmanuel Macron, pas sulmit amerikan me dron në Irak, duke e shprehur shqetësimin për rritjen e mundshme të tensioneve, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot Online)