Kryeministri australian: Zjarret mund të vazhdojnë edhe për disa muaj

  • 05 January 2020 - 14:22
Kryeministri australian: Zjarret mund të vazhdojnë edhe për disa muaj

Shefi i qeverisë australiane, Scott Morrison, ka paralajmëruar se zjarret shkatërruese, të cilat e kanë përfshirë kryesisht pjesën lindore të vendit, mund të vazhdojnë edhe disa muaj.

Së paku 24 persona kanë vdekur që nga fillimi i zjarreve në shtator të vitit të kaluar, ndërsa cilësia e ajrit në Canberra është cilësuar si më e dobëta në botë.

Kryeministri Morrison njoftoi se qeveria e tij e ka themeluar një agjenci për t’i ndihmuar personat që i kanë humbur shtëpitë dhe bizneset e tyre nga zjarri. 

Ai është përballur vazhdimisht me kritika të shumta për shkak të reagimit të ngadalshëm ndaj krizës.

Kjo fundjavë solli disa ndër ditët më të rënda të krizës së zjarreve deri më tash. Qindra prona janë shkatërruar, ndërsa qielli në disa qytete mori ngjyrë të kuqe.

Gjendja u përmirësua paksa të dielën në rajonet lindore për shkak të rënies së temperaturave dhe shpejtësisë së erës. Në disa pjesë kishte edhe reshje të dobëta shiu. Megjithatë, autoritetet paralajmëruan se rreziku nga zjarret është ende larg fundit, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)