Trump-i kërcënon Irakun me sanksione të ashpra në rast se i dëbon ushtarët amerikanë

  • 06 January 2020 - 08:52
Trump-i kërcënon Irakun me sanksione të ashpra në rast se i dëbon ushtarët amerikanë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kërcënuar Irakun me sanksione të ashpra, pas miratimit të një rezolute në kuvendin e këtij shteti, me të cilën bëhet thirrje për largimin e trupave amerikane.

“Ne atje e kemi një bazë ajrore jashtëzakonisht të shtrenjtë. Ka kushtuar miliarda dollarë për t’u ndërtuar. Ne nuk do të largohemi derisa të na e shpaguajnë atë”, tha para gazetarëve kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Duke folur gjatë udhëtimit me aeroplanin presidencial, Trump-i tha se nëse Iraku kërkon që forcat amerikane të largohen në mënyrë jomiqësore, Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione që vendi aziatik nuk i ka parë kurrë më parë.

Marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Irakun dhe Iranin u tensionuan pas vrasjes së gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, përmes një sulmi me dron nga forcat amerikane në Bagdad.

Pasardhësi i Soleimanit në pozitën e komandantit të forcave Kuds, Esmail Qaani, është zotuar se do ta vazhdojë misionin e ushtarakut tashmë të ndjerë. “Ne premtojmë se do ta vazhdojmë rrugën e martirit Soleimani me të njëjtën forcë dhe dëmshpërblimi i vetëm për ne do të ishte largimi i Amerikës nga rajoni”, tha ai.

Ndryshe, në Irak ndodhen rreth pesë mijë trupa amerikane si pjesë e një koalicioni ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)