Franca paralajmëron Shtetet e Bashkuara për taksat hakmarrëse

  • 06 January 2020 - 12:33
Franca paralajmëron Shtetet e Bashkuara për taksat hakmarrëse

Ministri francez i ekonomisë, Bruno Le Maire, i paralajmëroi të hënën Shtetet e Bashkuara se çfarëdo hakmarrjeje ndaj taksës së re për shërbime digjitale do të mund t’i dëmtonte thellësisht dhe për një kohë të gjatë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Uashingtoni ka kërcënuar se do të vendosë taksa deri në 100 për qind ndaj disa prodhimeve franceze, përfshirë verën, djathin dhe çantat e dorës, në vlerë të 2.4 miliardë dollarëve, pasi qeveria amerikane vlerësoi se taksa franceze do t’i dëmtojë kompanitë teknologjike të Shteteve të Bashkuara. 

“Nëse amerikanët vendosin të shkojnë përpara dhe të vendosin sanksione kundër taksës digjitale, ne do të hakmerreshim në këtë rast”, tha ministri Le Maire për një radio franceze.

“Nëse do të ketë sanksione dhe është e mundur që do të ketë sanksione, ne menjëherë do ta kontaktonim Organizatën Botërore të Tregtisë”, shtoi ai.

Le Maire tregoi se ia ka dërguar një letër negociatorit amerikan për tregti, Robert Lightizer, dhe se do të bisedojë për këtë problem edhe me sekretarin amerikan të thesarit, Steven Mnuchin.

Parisi është ankuar për një kohë të gjatë se kompanitë digjitale amerikane nuk janë duke paguar taksa të mjaftueshme për të hyrat që i kanë në Francë, shkruan “Fox News”.

(Kosova Sot Online)