Vjen akuza e rëndë për rastin “Pronto”, paralajmërohet edhe një skenar i ri

  • 06 January 2020 - 12:40
Vjen akuza e rëndë për rastin “Pronto”, paralajmërohet edhe një skenar i ri

“Pas vendimit të dyshimtë, që Adem Grabovci, Zenun Pajazit, Besim Beqaj dhe 8 të akuzuarit e tjerë, me aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të shpallen të pafajshëm,me ç`rast të gjitha akuzat janë hedhur poshtë nga gjyqtari i rastit, do duhej që vet kryetari i trupit gjykues Shasivar Hoti,i cili pa fije turpi amnistoi abuzuesit , të përjashtohet urgjentisht nga puna ose të dërgohet në mbajtje, përderisa të sqarohet dhe arsyetohet profesionalisht dhe paanshëm, çdo detaj i këtij aktvendimi skandaloz e të turpshëm”, thotë analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Duke parë vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për aferën kriminale të klanit “Pronto”, ka reaguar ashpër analisti politik, Gani Qarri, i cili e ka akuzuar këtë gjykatë për një vendim që paraprakisht ishte kurdisur dhe akorduar me palët e akuzuara, kurse krejt procesi kishte qenë një lojë teatrale, pavarësisht fakteve të mjaftueshme që ishin në dispozicion për t’i dënuar të akuzuarit.

Image
Gani Qarri

“Vendimi skandaloz i Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe gjykatësit Shasivar Hoti, për lirimin e të akuzuarve të Klanit PRONTO, jo vetëm që vërtetoi edhe një herë më tepër, se gjykata dhe gjyqtarët, ende janë të ndikuar keq nga politika, e nuk mund ta bëjnë punën e tyre si duhet dhe ashtu si e parasheh ligji, por edhe se i shërbejnë drejtpërsëdrejti klanit PRONTO dhe në vend të aktgjykimit dënues,gjyqtarët si Shasivar Hoti amnistojnë abuzuesit me arsyetimin se kinse nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën i ngarkon aktakuza”, thotë analisti Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Gani Qarrit, vendimi i kurdisur i Gjykatës Themelore të Prishtinës për të shpallur të pafajshëm të gjithë të dyshuarit e rastit “Pronto”, të akuzuar për bashkëkryerjen e veprës penale “Shkelje e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe nenin 31 të KPRK-së, ishte më tepër një aktrim i akorduar ndërmjet gjykatës së kapur dhe politikanëve të kriminalizuar të klanit “Pronto”, se sa drejtësi.

“Pas vendimit të dyshimtë, që Adem Grabovci, Zenun Pajazit, Besim Beqaj dhe 8 të akuzuarit e tjerë, me aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të shpallen të pafajshëm,me ç`rast të gjitha akuzat janë hedhur poshtë nga gjyqtari i rastit, do duhej që vet kryetari i trupit gjykues Shasivar Hoti,i cili pa fije turpi amnistoi abuzuesit , të përjashtohet urgjentisht nga puna ose të dërgohet në mbajtje, përderisa të sqarohet dhe arsyetohet profesionalisht dhe paanshëm, çdo detaj i këtij aktvendimi skandaloz e të turpshëm”, shton analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”. 

Për aq më tepër, sipas Qarrit pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Prokuroria sikur ka vendos të ankohet në Gjykatën e Apelit, ku kryetar i së cilës, sërish është njeriu i afërt me Adem Grabovcin, njëri nga personat më me ndikim brenda sistemit të drejtësisë, ku ligji vazhdon të bëhet nga të fortët e politikës.

“Ndaj dhe as që mund të pritet që ky rast, të gjykohet drejtë dhe profesionalisht nga kryegjyqtari i Apelit Hasan Shala, i deleguar si kryetar i Gjykatës së Apelit, nga politika dhe nëntoka kriminale, duke marrë votat e nëntë prej 11 anëtarëve të KGJK-së, kur dihet se pikërisht këtë njeri aty e ka vendos Adem Grabovci, me Hashim Thaçin e Kadri Veselin. Kështu që nuk do mend se pikërisht KGJK-ja, është foleja e krimit te organizuar dhe kanceri i krejt krimit brenda sistemit të drejtësisë ne Kosove dhe KGJK-ja në vend se të ishte mbikëqyrëse e pavarur dhe profesionale, realisht është asgjë më tepër se një maskotë dhe shërbëtore e krimit të organizuar,nëntokës dhe politikës së inkriminuar”, deklaron Qarri për “Kosova Sot Online”.

“Sistemi ynë i drejtësisë edhe me këtë rast, dëshmoi qartë se ka nevojë urgjente për transformim dhe reformim rrënjësor, për spastrimin e menjëhershëm nga elementë kriminal të cilët të vendosur në pozitat kyçe nga politika e inkriminuar tash e sa vite, po mbytin shpresën e qytetarëve për drejtësi, e cila as që mund te pritet kur koka e sistemit te drejtësisë bashkë me kryetarët e gjykatave janë shërbëtor të drejtpërdrejtë të krimit të organizuar dhe politikes se inkriminuar në shtetin tonë të brishtë”, përfundon analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)