Britania dënon me burgim të përjetshëm indonezianin që dhunoi 48 djem

  • 06 January 2020 - 13:56
Britania dënon me burgim të përjetshëm indonezianin që dhunoi 48 djem

Një burrë me prejardhje nga Indonezia u dënua me burgim të përjetshëm nga një gjykatë britanike pasi u shpall fajtor për dhunimin seksual ose sulmin seksual ndaj 48 djemve në Manchester.

Reynhard Sinaga, 36 vjeç, besohet se i ka sulmuar së paku 195 burra për një periudhë prej dy vjetësh e gjysmë. Ai fillimisht i mashtronte viktimat duke i ftuar në banesën e tij përmes prezantimit si humanist dhe më pas i drogonte e i dhunonte, kur ata ishin pa vetëdije.

Ian Rushton, zëvendëskryetar i prokurorisë, e cilësoi Sinaga-n si dhunuesin më masiv në historinë ligjore të Britanisë. 

Personi i dënuar deri më tash ka pranuar se i ka kryer 159 shkelje, përfshirë 136 dhunime seksuale, të cilat i kishte incizuar me dy telefona. Policia i ka identifikuar së paku 70 viktima.

Të hënën, Sinaga u dënua me burgim të përjetshëm me qëndrim minimal prej 30 vjetësh para fitimit të së drejtës për të paraqitur kërkesë për falje.

Ai është dënuar edhe vitin e kaluar me burgim të përjetshëm për raste të tjera të dhunimit seksual. Cak i tij ishin kryesisht studentët adoleshentë ose personat që ishin në të njëzetat, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)