Zyrtari i LDK-së: Albin Kurti ka sjellje fëmijërore

  • 06 January 2020 - 14:43
Zyrtari i LDK-së: Albin Kurti ka sjellje fëmijërore

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Florian Dushi, ka thënë se lideri i VV’së po bën sjellje fëmijërore me ofertat e tij publike.

Dushi thotë se vendi ka nevojë urgjente për qeverinë e re dhe kështu edhe sjelljet duhet të jenë me qasje më serioze.

“Përmes sjelljeve fëmijërore po vazhdon të komplikohet situata, ndërkohë që vendi ka nevojë urgjente për një qeveri ndryshe dhe veprime të pjekura e qasje serioze ndaj problemeve të shumta të qytetarëve tonë!”, ka shkruar Dushi në Facebook.

Kujtojmë se Lideri i VV’së dhe pretendenti për Kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, pak para takimit me Presidentin Thaçi, ka ftuar LDK’në që të propozojë emrat e saj për ministrat e 5 ministrive, derisa ka publikuar ata të tij, ku Ministra nga kjo parti sipas tij do të jenë, Haki Abazi, Albulena Haxhiu, Blerim Reka, Besnik Bislimi, Rozeta Hajdari dhe Arben Vitia.

Kjo siç duket të jetë edhe oferta e fundit e Kurtit për LDK’në, të cilës i bëri thirrje që të propozojë emrat e ministrive, ndërsa, ka publikuar edhe emrat të cilët i ka propozuar ai.

“Nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, unë si kryeministër i qeverisë së re, kam përzgjedhur: për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë, Haki Abazi, për Ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për Ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Prof. Blerim Reka, për Ministër të Financave dhe Transfereve, Prof. Besnik Bislimi, për Ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe, për Ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia. Le t’ia fillojmë punës për të mirën e qytetarëve, e sipas programit qeverisës tashmë të dakorduar. Unë zotohem se menjëherë pasi t’i kem ata gjashtë emra, do ta sjell emrin e ministrit nga pakicat joserbe dhe atë të pakicës serbe, por edhe emrat e së paku 10 zëvendësministrave”, thotë ai.

Një ofertë të tillë nuk dihet se a do të pranojë Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila më parë kishte kërkuar që Ministria e Punëve të Jashtme t’i takojë asaj.

(Kosova Sot Online)